Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje,raporto Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku shkroi se “sot u pa qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave, por zgjedhje politike e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.”
Ajo tha se “sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe që Kuvendi të mos votohej për konstituimin e tij. Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë krejtësisht e qartë në aktgjykimin e saj: Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.”
Sipas Çitakut, “mosveprimi i sotëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike. Është shpërfillje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe e detyrimeve që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.”
Në fund, ajo shtoi se “Kosova nuk mund të mbahet peng për llogari të kalkulimeve politike të një njeriu apo një partie”, duke i bërë thirrje Kurtit: “Albin, mjaft. Konstituoje Kuvendin menjëherë dhe lëre Kosovën të ecë përpara.”


