Sporti

Chelsea nën hetim për epokën Abramovich, rrezikon penalizim me pikë!q

08/09/2023 15:24
nga:Lorik J

Chelsea nën hetim, në lidhje me menaxhimin kur drejtohej nga Roman Abramovic. Diçka për të cilën është denoncuar në Premier League dhe UEFA nga pronarët e rinj të “Bluve të Londrës”.

Për një seri parregullsish të zbuluara kur Todd Boehly mori drejtimin në “Stamford Bridge”, në qershor të 2022. Chelsea i ka paguar 10 milionë euro UEFA-s për një seri shkeljesh të rregullave të Fair-Play Financiar.

Tani dhe Premier League po heton mbi lidhjet e manjatit rus kur ishte pronar i klubit. Në shënjestër janë pagesa prej dhjetëra miliona eurosh që u janë bërë kompanive offshore.

Sipas The Times, që ka publikuar të dhëna nga përmbajtja e hetimit të Premier, Chelsea rrezikon gjoba të rënda. E deri te penalizimi me pikë, edhe pse shkeljet janë bërë nga pronarët e vjetër dhe pavarësisht faktit se hetimi ka nisur nga denoncimi i pronarëve të rinj.

Në shënjestër mes transaksioneve të kryera nga 2012 në 2019, të denoncuara nga pronarët aktualë, janë 6 pagesa të bëra për kompani offshore, për të cilat Premier konsideron se janë para në të zezë.

Për transferime lojtarësh që nuk figurojnë në librat e bilanceve të klubit, para që kanë përfunduar në xhepat e agjentëve dhe ndërmjetësve për të lehtësuar operacionet e merkatos me pagesa në të zezë.

Në hetimin e Premier janë edhe pagesat që Chelsea ka bërë për babanë e mbrojtësit danez Andreas Christensen, i blerë në 2012, të cilat janë denoncuar nga mediat daneze.

Times, qershorin e vitit të kaluar kishte paralajmëruar se pronarëve të rinj iu ishte bërë një ulje prej 120 milionë eurosh nga çmimi final për blerjen e klubit. Për “probleme që mund të dilnin në të ardhmen nga librat e kontabilitetit“.