Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos në fjalën përmbyllëse në Samitin e Ballkanit Perëndimor shprehu edhe një herë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Ajo tha se me ritmet aktuale vendi mund të mbyllë procesin e negociatave deri në fund të vitit tjetër me shpresën për anëtarësim në vitin 2030, raporton Top Channel.
Po ashtu, Kos shtoi se vendet do të përparojnë drejt BE-së sipas meritave dhe theksoi edhe një herë se Shqipëria u shpërblye me 15% fonde më shumë nga Plani i Rritjes me fondet që vendet e tjera nuk kanë arritur t’i thithin.
“Po shohim se ata që zbatojnë reformat mund të ecin përpara. Ata që ende nuk i kanë zbatuar nuk mund të përparojnë. E njëjta gjë vlen edhe për Planin e Rritjes.
Siç e përmendi edhe kryeministri juaj, do t’i rrisim fondet e Planit të Rritjes për tri vendet që kanë bërë më shumë përparim në zbatimin e reformave. Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin nga 15% më shumë, ndërsa Maqedonia e Veriut 10% më shumë. Procedurën do ta nisim së shpejti dhe këto fonde shtesë do të mund t’i merrni në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Duhet të kujtojmë se Plani i Rritjes është hartuar që në fillim për të shpërblyer rezultatet. Vendet që përmbushin angazhimet për reforma marrin fonde.
Sot jemi në një udhëkryq. Qasja që i trajton gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si një grup po shkon natyrshëm drejt fundit. Zgjedhjet politike të secilit vend dhe të udhëheqësve të tij do të përcaktojnë çfarë do të ndodhë më pas.
Thirrja ime sot është që ta shfrytëzojmë këtë moment, ta çojmë punën deri në fund dhe t’ju sjellim të gjithëve në shtëpinë tuaj, në Bashkimin Evropian, tani”, tha Kos.

