Lajme

Bytyqi: Kurti bën gjithçka për votë

04/26/2024 11:37
nga:N K

Deputetja e AAK-së Albana Bytyqi , lidhur me deklaratën e Kryeministrit Kurti për projektligjin për Kodin Civil, ku lejohet martesa e personave të së njëjtës gjini, në një prononcim për Gazeta Blic tha se Kurti tashmë bën gjithçka për votë.

“Kryeministri Kurti tashmë dihet që për votë bën gjithçka, deklaron gjithçka, premton gjithçka. I ka mashtruar ata që besuan në të, sidomos besimtarët myslimanë votat e të cilëve i ka marrë e që sigurisht nuk e pranojnë një gjë të tillë, dhe për ta sigurisht që është zhgënjyese. Por nga ana tjetër, është mirë që ndodhin këto heqje të maskave për me u pa se kush janë këta që po na udhëheqin e që në të ardhmen mos me ua dhënë më këtë mundësi”, deklaroi ajo.

Tutje ajo tha se Kurti nuk ka përkrahjen e partisë së tij, dhe se AAK nuk do të votojë këtë projektligj pa parë ndryshimet e adresuara.

“Edhe për Kodin Civil dhe deklaratat e tij se do të kaloj në një të ardhme të afërt, janë veç fjalime koti sepse së pari nuk e ka përkrahjen as brenda partisë së tij. Ne kemi deklaruar se pa ndryshimet që i kemi adresuar nuk do ta votojmë këtë projektligj”, përfundoi Albana Bytyqi.

Qeveria e Kosovës planifikon të kalojë Projekt-kodin e ri Civil gjatë muajit maj.

Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti të enjten (25 prill), gjatë një fjalimi në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.

Në këtë projekt-kod bën pjesë edhe bashkësia e të njëjtës gjini, për çka pati marrë kundërshtime nga vetë deputetët e partisë së tij.

Aktualisht, Mali i Zi është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që lejon bashkësitë civile të të njëjtit seks, pasi një përpjekje e mëparshme për t’i futur ato në Kosovë nuk u votua në parlament në vitin 2022.

“Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë në Malin e Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, ka thënë Kurti në ngjarjen e SPD-së.

Kryeministri u shpreh i sigurt se do të arrijë shumicën parlamentare që ky projekt-kod të kalojë.

“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti për Projekt-kodin civil: Do t’i siguroj personalisht votat shumë shpejt!