Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në intervistë për mediat la të kuptohet se dallimet në qasje ndaj disa politikave të SHBA-së dhe qeverisë “Kurti 1” çuan në prishjen e koalicionit VV-LDK.
Analisti Andi Bushati tha se diplomatët e huaj shpesh ngatërrohen dhe për pasojë bëjnë gabime tragjike, të cilat mbesin gjatë në memorien kolektive të një kombi.
“Shpesh diplomatët ngatërrohen, shpesh gabojnë për interesa të çastit, por fatkeqësisht gabimet e të mëdhenjve janë gabime tragjike dhe lënë shenja në memorien e një kombi”, tha ai.
Duke analizuar situatën në Kosovë që çuan në rrëzimin e qeverisë “Kurti 1”, por dhe lëvizjet e fundit në Shqipëri mbi rastin “Berisha”, z. Bushati tha se Amerika shpeshherë është kundër shqiptarëve që mendojnë ndryshe.
“Veprime si ato të Grenell, Palmer dhe Yuri Kim në kombësinë më pro amerikane jo të gadishullit, por të gjithë Evropës, po ngrenë një sentiment të të parit me dyshim të superfuqisë, sepse shpesh po shohim se Amerika është kundër vullnetit të votuesve dhe një shumice shqiptarësh, që mendojnë ndryshe dhe këtë e bën në mënyrë arrogante”, tha Bushati në Euronews Albania.


