Lajme

Bosnja do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

04/16/2024 14:00
nga:G B

Deputeti i Parlamentit të Bosnjë dhe Hercegovinës, Sasha Magazinoviq, i cili është edhe kryesues i delegacionit të shtetit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka bërë të ditur se do të votoj pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Në një postim në X, deputeti Magazinoviq ka shkruar se të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë mundësitë e ofruara nga Këshilli i Evropës.

“Unë do të votoj duke u bazuar në bindjen se të gjithë qytetarët e Kosovës i meritojnë mundësitë e ofruara nga Këshilli i Evropës, që si shqiptarët, edhe serbët dhe të gjithë të tjerët më në fund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të jetuar në një shoqëri më të avancuar demokratikisht sesa është sot dhe për të ndjerë përparim në shtetin e së drejtës”, ka shkruar ai.

Magazinoviq ka shtuar se vetë opinioni thotë se votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare individuale lidhur me statusin e Kosovës.