Lajme

Borrell për takimet e nesërme: Patjetër që do të jenë pozitive

03/17/2023 23:36
nga:Mergim Rreci

Ka përfunduar darka në mes të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gazetari i Klan Kosovës, Hekuran Sokoli, i cili po përcjell nga afër zhvillimet në Ohër, ka arritur ta pyes Borrellin për pritshmëritë e tij.

“Le të presim deri nesër, patjetër që pritshmëritë janë pozitive”, deklaroi Borrell për Klan Kosova.

Darka i parapriu takimit të nesërm në Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se në takimet e nesërme që do të diskutohet për aneksin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, pos delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë – që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së – do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit.

Propozimi evropian përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Teksa Serbia insiston që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke.