Sporti

Bojku pasi u shpall kampion me Strugën: Jam shumë i lumtur që fitova titullin me ekipin e qytetit ku u linda, asgjë nuk është rastësi

05/08/2023 14:39
nga:L J

Skuadra e Strugës ka shkruar historinë në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Skuadra e shqiptarëve u shpall matematikisht kampione e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut dy javë para fundit.

Kjo është hera e parë në histori që klubi i Strugës ka fituar trofeun e madh, teksa duhet marrë parasysh që janë formuar vetëm 8 vite më parë, shkruan GazetaBlic Sport.

Futbollisti i kësaj skuadre, Besmir Bojku shprehet shumë i lumtur që kanë arritur deri tek titulli kampion, sidomos pasi ai fitoi këtë titull me ekipin e vendit të lindjes.

“Po është një trofe shumë i madh për një ekip që është formuar vetëm tetë vite më parë, kemi luftuar me dy ekipe të mëdha, me Shkëndijën dhe me Shkupin. Kemi treguar formë të mirë gjatë gjithë sezonit, nga ndeshja e parë jemi në pozitën e parë dhe për asnjë moment nuk e kemi lëshuar kreun e tabelës. Sigurisht që jam shumë i lumtur me qytetin ku jam lindur, pasi të fitosh trofe këtu, është ndjenjë e bukur”, tha Besmir Bojku për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai thotë se ky sukses i madh i Strugës nuk është aspak i rastësishëm, pavarësisht se në fillim nuk ishte objektivi kryesor.

“Të them të drejtën objektivat në fillim të sezonit kanë qenë Kupat e Europës, por pas atyre tetë ndeshjeve, ku morëm tetë fitore, ekipa filloi të besoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha këtë sezon. Ja ku jemi edhe në finale të Kupës se Maqedonisë, pra asgjë nuk është e rastësishme”, vazhdoi Bojku.

Në fund, Bojku beson se edhe në Europë mund të arrijnë suksese me pak fat në short.

“Sigurisht me pak fat me një short të mirë mendoj se mund të bëjmë gjëra të bukura edhe në Europë”, përfundoi Bojku.

/GazetaBlic Sport