Faton Bislimi, ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë për Kosovën, duke shprehur se “normalisht se rezultati i këtyre zgjedhjeve do ndikojë në mbarë botën e po ashtu edhe në Kosovë.”
Ai për GazetaBlic theksoi se ka arsye të forta për këtë, veçanërisht duke marrë parasysh historikun e marrëdhënieve unike me SHBA-të.
Bislimi shpjegoi se “suksesi ynë karshi politikës së jashtme amerikane ndaj Kosovës është arritur me çasje proaktive dhe bipartizane,” duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të dyja taborret politike në SHBA, republikanë e demokratë.
Ai i bëri thirrje klasës politike, veçanërisht asaj qeveritare, që të tregohen të kujdesshme, pasi “ne nuk përcaktojmë fituesin; atë e bën populli amerikan.”
Bislimi vazhdoi të theksojë se është esenciale të ruhet marrëdhënia unike dhe e përhershme me SHBA, pavarësisht se kush do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë ose Kongresin.
“E kuptoj se krejt fokusi është tek zgjedhja e presidentit, mirëpo ajo që realisht do të jetë esenciale për neve është edhe se kush do e marrë kontrollin e Kongresit,” theksoi ai, duke përmendur se fuqia e veprimit për interesin kombëtar ka buruar historikisht në Kongres.
Bislimi tha se qasja e Washingtonit ndaj dialogut mund të ndryshojë nëse ka ndryshim në qeverisjen e SHBA-ve.
“Mos të harrojmë, demokratët janë multilateralistë, pra, duan të kryejnë punë duke provuar të kënaqin të gjithë, gjersa republikanët janë goxha unilateralistë,” shpjegoi ai.
Ai përfundoi duke bërë thirrje që klasa politike dhe shteti të jenë të gatshëm të ruajnë marrëdhënien me SHBA, në çdo variant.
“Dallime mund të kemi, por ato kurrë s’duhet të bëhen hendek në marrëdhëniet Kosovë-SHBA,” tha Bislimi, duke theksuar se Kosova asnjëherë s’duhet të dalë nga orbita e interesave gjeostrategjike amerikane, që ka qenë e rëndësishme për arritjen e lirisë dhe pavarësisë./GazetaBlic/
Bislimi: Zgjedhjet amerikane do të kenë ndikim të madh në Kosovë