Lajme

​Bislimi paralajmëron plan B për targat

05/23/2022 17:56
nga:G B

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar një plan B për çështjen e targave të automjeteve me Serbinë.

Ai ka thënë se të njëjtin do t’ia paraqesin edhe vendeve të QUINT-it dhe më pas do të japin afat 30 ditë para zbatimit në terren.

Kryenegociatori për dialogun me Serbinë, duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme ka thënë se pala serbe nuk ka vullnet për arritjen e një ujdie për targat.

”Ka qenë kërkesë e palës serbe që t’iu ofrohen edhe gjashtë muaj shtesë me arsyetimin se Serbia ndodhet në fazë delikate të krijimit të institucioneve, rrjedhimisht e kanë të pamundur të jenë aktiv në dialog. Nga këta gjashtë muaj kanë kërkuar që katër të jenë periudhë pushimi ku nuk do të diskutohet për çështjen e targave dhe pastaj dy muaj për negocim. Neve kjo na është dukur jo serioze… Tash dakordimi është që ne të përgatisim një plan B për çështjen e targave dhe pastaj ta prezantojmë para vendeve të QUINT-it dhe të ketë 30 ditë afat para se të fillojë zbatimi i planit B”, tha ai.

Ndryshe nga kjo, Bislimi, përsëriti përafrimet për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë në veri të Kosovës.

”Jemi shumë afër finalizimit të kësaj marrëveshjeje dhe mbase shumë shpejt mund të thuhet se ka dakordim dypalësh që të fillojë implementimi i saj”, shtoi ai.

Mes tjerash, Bislimi theksoi se diskutimi për këto tema para marrëveshjes finale është imponuar.