Ka mbërritur në Bujanoc, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Ata janë pritur nga Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë ku edhe kanë mbajtur një takim.
Zyrtarët nga Kosova premtuan qasje serioze për të ndihmuar në ndryshimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë.
Bislimi tha se qasja e Kosovës karshi shqiptarëve në Luginë, do të jetë konstruktive.
Ai ka përmendur fondin prej 2 milionë eurosh, për ndarjen e linjës buxhetore për blerjen e librave për mbi 4 mijë nxënës të shkollave fillore dhe për përfshirjen e çështjes së Luginës në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Zyrtarët nga Kosova zhvilluan takim edhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip kamberi.
Më vonë do të priten edhe nga kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare.


