Lajme

Besnik Tahiri kundërshton mënyrën e trajtimit të pakos së pesë ligjeve për reformën në drejtësi

11/24/2026 15:26
nga:Genita C

Besnik Tahiri, ka kundërshtuar në Komisionin për Legjislacion mënyrën e trajtimit të pakos së pesë ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë, raporton GazetaBlic.

Ai ka kritikuar mungesën e përfshirjes së shoqërisë civile dhe mosreflektimin e amendamenteve të opozitës, duke vlerësuar se një reformë e tillë duhet të bazohet në dialog, transparencë dhe gjithëpërfshirje.

Tahiri ka theksuar se reforma në drejtësi nuk mund të bëhet përmes proceseve të njëanshme politike.

Postimi i plotë:

Sot, në Komisionin për Legjislacion e kundërshtova mënyrën se si po trajtohet pakoja e pesë ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë. Është thellësisht shqetësuese që një reformë e kësaj rëndësie po shtyhet përpara pa përfshirje reale të komenteve dhe rekomandimeve të shoqërisë civile dhe pa reflektuar amendamentet përmbajtësore të opozitës.

Nuk mund të flasim për reformë të drejtësisë, integritet, transparencë dhe përafrim me standardet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që injorohen zërat e akterëve që duhet të jenë pjesë e këtij procesi.

Një pako që nuk reflekton konsultimin, dialogun dhe kontributin e shoqërisë civile e të opozitës, nuk mund të konsiderohet reformë gjithëpërfshirëse. Ajo rrezikon të jetë vetëm një produkt i shumicës parlamentare, pa legjitimitetin e nevojshëm dhe pa konsensusin që kërkon një reformë kaq e rëndësishme.
Reforma në drejtësi nuk bëhet duke përjashtuar, duke injoruar dhe duke imponuar. Bëhet përmes dialogut, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes.

Drejtësia nuk mund të reformohet me procese të njëanshme politike.

Pra, reformë pa gjithëpërfshirje nuk ka!