Lajme

Besnik Tahiri i drejtohet Albin Kurtit: Jepni fund talljes me qytetarët, plotësoja kushtet grevistëve

09/25/2022 17:07
nga:Gazeta Blic

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri i ka bërë thirrje qeverisë që të ndalë siç ka thënë ai “hajgaret me qytetarë”, e t’ia plotësojë kushtet grevistëve dhe të nisë mësimi sa më parë.

“Për më shumë se një vit e gjysmë qeverisje, qytetarët e Kosovës nuk kanë marrë goditje më të rëndë se kjo që lidhet me bllokimin e procesit mësimor, tash e një muaj. Nuk ka papërgjegjësi më të madhe se sa një temë që lidhet me një popullatë, e të trajtohet me këtë indiferencë”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka shtuar se dialogu u konceptua si farsë, dhe tallje. Kjo sipas tij duhet të marrë fund.

“Takimet dhe dialogu me grevistët nisën vetëm atëherë kur u thellua problemi. Ndërsa, zgjidhja është reduktuar në një masë monetare. Në fakt dialogu u konceptua si farsë, dhe tallje. Kjo duhet të marrë fund”.

“Sot, jo më larg se sot, Qeveria duhet t’i plotësojë kushtet e grevistëve, të nisë mësimi dhe të mos bëhet hajgare me një popull”, ka përfunduar Tahiri.

Jasharaj pas deklaratës së Kurtit: Ka synim përçarjen, nuk e dëshiron qetësimin e situatës