Skuadra e Dukagjinit nuk ka fitore në pesë xhirot e fundit duke ‘rrezikuar’ paksa edhe luftën e barazhit.
Dukagjini pozicionohet në vendin e gjashtë me 39 pikë, pesë më shumë se Gjilani dhe Feronikeli 74 që janë në garë direkte për të shmangur barazhin.
Lojtari i Dukagjinit, Besir Iseni ka folur për GazetaBlic Sport rreth formës së fundit të skuadrës së tij ku tha se nuk ‘ndihen rehat’ sa i përket barazhit
pasi në futboll mund të ndodhë gjithçka.
“Nuk jemi duke kaluar kohë të vështirë, sepse duke u nisur nga 9 ndeshjet që kemi luajtur, kemi vetëm 1 humbje, të cilat tregojnë se jemi një ekip i qëndrueshëm. Kemi punuar këtë javë për ndeshjen me Ballkanin dhe synojmë një rezultat pozitiv, edhe pse e dimë që Ballkani ka një ekip të mirë. Por tani edhe ne kemi ekip të plotë dhe si ekip do të futemi për një rezultat pozitiv.
Të them të drejtën, akoma nuk jemi të qetë, sepse në futboll asnjëherë nuk dihet, prandaj duhet të marrim edhe më shumë pikë për të siguruar qëndrimin në Superligë. Edhe pse kemi pasur qëllime si ekip të kualifikohemi për Europë, futbolli është kështu”, tha ai për GazetaBlic Sport.


