Lajme

Berisha: Të nisë mosbindja civile

11/29/2023 20:23
nga:Y I

Në prag të Kuvendit Kombëtar të 2 Dhjetorit, që pritet ta rikonfirmojë në krye të PD-së, Sali Berisha paralajmëroi beteje pa kthim me qytetarët deri në rrëzimin e atij që e cilësoi regjim të Edi Ramës.

“Regjimi duhet të bllokohet. Rivendosja e Kushtetutës, e pluralizmit, e të drejtës së shqiptarëve për të votuar të lirë është misioni ynë”.

Nga krerët e degëve kërkoi angazhim maksimal teksa tha se beteja do të zhvillohet në dy fronte edhe me deputetët në Kuvend.

“Të organizojmë në çdo degë dhe kudo aksione të veprimeve të mosbindjes civile ndër më të fuqishmet. Në rast se ne vendosim të qëndrojmë ashtu siç po qëndrojmë në parlament ju garantoj ju se kohërat ai i ka të shkurtra”, tha Berisha.

Kryeministrin e akuzoi se ka marrë në kontroll sovranitetin e vendit duke vënë në shërbim politik edhe drejtësinë.

“Kjo qëndresë me të njëjtën forcë, me të njëjtin qëllim, bllokimin e një pushteti të paligjshëm, në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo hallkë të tij është detyra jonë më imediate. Një armik që ka marrë siç e dini ju të gjitha pushtetet”.

Për Berishën, misioni i opozitës është rivendosja e Kushtetutës, e pluralizmit, e të drejtës së shqiptarëve për të votuar të lirë.