Sporti

Berisha: Jemi duke e përfaqësuar në mënyrën më të mirë futbollin kosovar – Ilir Daja ka ndikuar shumë në rritjen time si futbollist

08/27/2023 13:01
nga:Lorik J

Sulmuesi i FC Ballkanit, Albin Berisha beson se skuadra e tij ka bërë paraqitje shumë të mira deri tani në arenën evropiane.

Ballkani aktualisht ndodhet në “Play Off” të kualifikueseve për Conference League dhe në duelin e parë e ka mposhtur BATE Borisov me rezultatin 4-1.

Berisha thotë se atmosfera në skuadër është shumë e mirë, teksa shton se skuadra po qëndron me këmbë në tokë pavarësisht sukseseve që kanë arritur deri më tani.

“Po besoj që kemi bërë shumë mirë në këto ndeshjet kualifikuese deri më tani dhe jemi në hap të mirë për ripërsëritjen e historisë dhe besoj se po e përfaqësojmë në mënyrën më të mirë futbollin kosovar, normalisht që atmosfera është shumë e mirë, por jemi me këmbë në tokë dhe të përshkushtuar maksimalisht për ndeshjen e kthimit. Jam i lumtur që e kam mundësinë të jem pjesë e këtij grupi fantastik dhe për ato minuta që na besohet të gjithë japim maksimumin nga vetja dhe shpresoj të vazhdojme me rezultate pozitive”, tha fillimisht Albin Berisha për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas sulmuesi foli edhe për trajnerin Ilir Daja, për të cilin tha se po bën punë fantastike dhe ka ndikuar shumë në rritjen e tij si futbollist.

“Profesori Ilir Daja ka bërë një punë të jashtëzakonshme me stafin e tij. Personalisht te unë ka ndikuar shumë në rritjen time si futbollist, vazhdoj të mesoj shumë gjëra nga ai, është shumë profesionist dhe gjithmonë të jep motiv për të punuar më shumë dhe për të vazhduar më tutje”, përfundoi ai.

Kujtojmë se ndeshja e kthimit mes Ballkanit dhe BATE luhet të enjten në Hungari.

/GazetaBlic Sport