Lajme

Beka thotë se Sindikata e Zjarrfikësve nuk do ta pranojë anëtarësimin përmes platformës e-Kosova

10/12/2022 22:53
nga:G B

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në një lidhje direkte në Tëvë1 tha se janë dakorduar me të gjitha sindikatat tjera për ta kundërshtuar digjitalizimin e anëtarësimit përmes platformës e-Kosova.

Kjo formë e anëtarësimit, sipas tij, do paraqesë demotivim për tërë anëtarësinë, pasi siç tha Beka, në këtë formë do cenohet liria e organizimit sindikal.

“Ne kemi pasur takim të përbashkët edhe me BSPK-në dhe Shoqërinë Civile, e kemi ngritur shqetësimin si tërë sindikatat, e kemi konsideruar si të panevojshme. Kjo paraqet pengesë dhe demotivim të anëtarësisë, sepse nuk e kemi kuptuar për çfarë arsye është bërë kjo në një afat mjaft të shkurtër kohor. Jemi të shqetësuar të gjithë, prandaj jemi dakorduar edhe me sindikatat tjera që nuk do e pranojmë anëtarësimin në këtë formë, pra përmes platformës e-Kosova, sepse kjo mënyrë drejtpërdrejtë e cenon lirinë e organizimit sindikal”, tha Beka në emisionin “Këndi i Debatit”.

Ndërsa, se a janë të pranueshme koeficientët për Ligjin e Pagave, Beka tha se tashmë kanë bërë vërejtjet e tyre lidhur me këtë problematikë, kjo për shkak se në ata koeficientë janë të parapara vetëm dy gradime, pra për zjarrfikës dhe komandantë.