Lajme

BE pezullon marrëveshjen për lëshimin e lehtë të vizave për qytetarët rusë

08/31/2022 16:46
nga:G B

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë rënë dakord të pezullojnë një marrëveshje për lehtësimin e vizave të vitit 2007 me Rusinë, njoftoi kryediplomati i BE-së Josep Borrell.

“Kjo do të reduktojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara nga vendet anëtare të BE-së. Do të jetë më e vështirë, do të zgjasë më shumë”, tha Borell në fund të një takimi dy-ditor të ministrave të jashtëm në Pragë.

Ai tha gjithashtu se kishte pasur një rritje të konsiderueshme në kalimet kufitare nga Rusia në shtetet fqinje që nga mesi i korrikut.

“Ky është bërë një rrezik sigurie për këto shtete fqinje. Përveç kësaj, ne kemi parë shumë rusë që udhëtonin për t’u çlodhur dhe për të bërë pazar sikur të mos kishte luftë në Ukrainë”, u shpreh tutje ai.

Masa është krijuar për të parandaluar “blerjen e vizave” nga aplikantët rusë që kërkojnë hyrje më të lehtë në Bashkimin Evropian përmes vendeve anëtare me rregulla më të lehta, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së.

Një veprim i tillë do ta bënte procesin e vizave të BE-së më të komplikuar, më të shtrenjtë dhe më burokratik, si dhe do të rriste kohën e pritjes për miratim, sipas udhëzimeve të Komisionit Evropian.

Pezullimi vjen pas javësh presioni nga vendet e BE-së në kufi me Rusinë për të ndaluar shtetasit rusë që udhëtojnë në bllok për vizat Schengen të lëshuara nga disa vende anëtare të BE-së.

Diplomatët thanë se ministrat e BE-së nuk mund të bien dakord menjëherë për një ndalim të plotë të vizave të udhëtimit për rusët, pasi vendet anëtare ishin të ndara për këtë çështje.