Lajme

BE ofron 140 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën

01/13/2025 15:11
nga:N K

Komisioni Evropian njoftoi sot një paketë të re të ndihmës humanitare me vlerë 140 milionë euro – për të adresuar nevojat më urgjente në Ukrainën lindore dhe jugore.

“Financimi ka për qëllim të ndihmojë në ofrimin e ushqimit, strehimit, ujit të pastër, kujdesit shëndetësor dhe mbrojtjes dimërore për popullatat e cenueshme në rajonet e shkatërruara nga lufta”, tha komisioni në një njoftim për shtyp.

Komisioni vlerëson se rreth 12,7 milionë ukrainas kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Moldavia fqinje do të marrë 8 milionë euro shtesë për të mbështetur refugjatët ukrainas në kujdesin shëndetësor dhe arsim.

“Paketa e re e çon totalin e ndihmave humanitare të akorduara nga Komisioni Evropian në mbi 1,1 miliardë euro”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Njoftimi vjen pasi komisionerja e BE-së për Krizat, Hadja Lahbib po viziton Ukrainën ku pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.