Gazetarja dhe moderatorja e mirënjohur shqiptare, Vilma Masha, ka komentuar për “GazetaBlic Sport” superpërballjen e mbrëmjes në UEFA Champions League, ku Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain do të përballen për një vend në finale.
Sipas Mashës, kjo ndeshje premton shumë spektakël dhe është një betejë e madhe për historinë. Ajo shtoi se gjithçka është e hapur nga rezultati i ndeshjes së parë.
“Nata e spektaklit europian premton shumë. Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain do të jenë përballë njëra-tjetrës, por në fakt nuk është vetëm një ndeshje, është një betejë për histori. Nga njëra anë kemi Bayernin, një makineri të ftohtë që e njeh mirë rrugën drejt finales, dhe nga ana tjetër PSG-në që kërkon të shkruajë historinë e saj. Pas rezultatit të parë, gjithçka mbetet e hapur për të parë se kush do të triumfojë,” u shpreh ajo.
Ajo thekson se kjo është një mbrëmje ku presioni është maksimal dhe gabimet mund të kushtojnë shumë.
“Është një mbrëmje që nuk ka vend për gabime dhe as për frikë, por një natë që premton emocion, ritëm, gola dhe spektakël. Sonte nuk luhet thjesht një ndeshje, luhet një biletë për finalen e Champions League.”
Duke analizuar situatën e dy skuadrave, Masha ndalet te avantazhi i lehtë i PSG-së pas ndeshjes së parë dhe reagimi që pritet nga bavarezët në shtëpi.
“Bayern Munich, që këtë herë luan në shtëpi, është në disavantazh me një gol pas humbjes 4-5 në takimin e parë. Besoj se do të kërkojnë me çdo kusht përmbysjen dhe një rikthim të paharrueshëm për tifozët e tyre”, deklaroi Masha për ‘GazetaBlic Sport’.

Ajo shton se tifozët mund të presin një tjetër ndeshje të hapur dhe spektakolare, duke parë stilin e trajnerëve dhe cilësinë në fushë.
“Të dy trajnerët, me shumë gjasa, do t’u qëndrojnë besnikë stileve të tyre të lojës, çka garanton një tjetër 90-minutësh spektakolar. Ndeshja e parë ishte një spektakël i vërtetë, dy skuadra shumë sulmuese, me disa pasiguri në mbrojtje, por jashtëzakonisht e hapur dhe argëtuese. Ka shumë gjasa që e njëjta gjë të ndodhë edhe në ndeshjen e kthimit.”
Në fund, Masha jep edhe një parashikim të madh për skuadrën që mund të sigurojë finalen.
“Yjet e të dyja skuadrave do të kërkojnë lavdinë në një mbrëmje si kjo. Megjithatë, mendoj se Bayerni ka atë përvojë dhe mentalitet që mund ta çojë në finale, është një skuadër që nuk e fal një mundësi të tillë.”
/GazetaBlic Sport/


