Lajme

Basha i VV-së: Janë jashtëzakonisht të dëmshme qëndrimet e opozitës karshi zhvillimeve në veri

11/05/2022 21:07
nga:Astrit Gashi

Deputeti e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me qëndrimet e partive opozitare karshi zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Për largimin e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës nga opozita e kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti, i cili ka refuzuar ta shtyjë zbatimin e reciprocitetit për targa të lëshuara nga Serbia për 10 muaj, siç kanë kërkuar aleatët ndërkombëtarë.

E deklarimet e tilla janë të dëmshme sipas deputetit të VV-së, Dimal Basha, i cili ka thënë se serbët po i bojkotojnë institucionet sepse kanë marrë urdhër nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, e jo nga Amerika.

“E dyta, refuzimi i Kryeministrit nuk është për Amerikën, por për Vuçiqin, i cili vazhdimisht i lufton institucionet e Republikës dhe serbët që dojnë t’i respektojnë institucionet tona”, ka shkruar Basha në Facebook.

Tutje, deputeti ka thënë se opozita duhet ta kuptojë që kundërshtimi i vendimit të Qeverisë është refuzim i implementimit të marrëveshjes që vetë e kanë nënshkruar, e që Serbia nuk e ka respektuar nga viti 2016.

“Tani po kërkoni me vazhdu që mos m’u respektu?! E fundit, dhe shumë e rëndësishme, fajin për çfarëdo destabilizimi në veri duhet faturuar Serbisë, jo Qeverisë sonë, sepse ne kemi policinë që po synon rend e ligj, kurse Serbia struktura paralele. Tani a ju duhet shpjegim shtesë se kush është destabilizuesi këtu?”.

“Ju përveç që nuk po ndihmoni, edhe po na dëmtoni, sepse kur po i thoni Albinit zmbrapsu, në fakt po i thoni Vuçiqit grahi!”, ka përfunduar ai.