Lajme

Basha: I bëj thirrje Beogradit ta dënojë sulmin ndaj Policisë së Kosovës

09/24/2023 09:46
nga:Genita C

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar lidhur me vrasjen e një zyrtari policor dhe plagosjes së një tjetri në Banjskë të Leposaviqit, sot në orët e para të mëngjesit.

Basha është shprehur i tronditur lidhur me rastin dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të Beogradit të dënojnë sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

“Ju bëj thirrje autoriteteve të Beogradit të dënojnë dhe të distancohen prerazi nga kjo ngjarje e rëndë dhe nga gjuha e aktet destabilizuese”, ka shkruar Basha.

Basha ka theksuar se janë “në krah” të punonjësve të Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të vendit teksa punojnë për vënien e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë para drejtësisë.