Sporti

Balaj pasi fitoi titullin kampion me Dritën: Ndjenjë e jashtëzakonshme, tifozët më kanë përkrahur shumë – do të mundohemi të shkojmë sa më lart në Europë

05/11/2026 20:19
nga:L J

Futbollisti i FC Drita, Liridon Balaj, është shprehur tejet i lumtur pas triumfit të skuadrës gjilanase në sezonin 2025/26 në Superligë e Kosovës. Ekipi i Zekrija Ramadani me shumë meritë fitoi titullin kampion të pestë në histori, e të dytin radhazi në Kosovë.

Balaj theksoi se ky sukses ka një domethënie të veçantë për të, pasi bëhet fjalë për titullin e parë kampion në karrierën e tij.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, pasi ky është edhe titulli im i parë si kampion”, deklaroi Balaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Mesfushori falënderoi edhe tifozët “Intelektualët” për mbështetjen që i kanë dhënë që nga dita e parë.

“Që nga momenti kur kam ardhur, tifozët më kanë përkrahur shumë dhe u jam jashtëzakonisht falënderues”, shtoi Balaj.

Në fund, ai u shpreh optimist për të ardhmen e skuadrës, duke theksuar se Drita ka potencial për të vazhduar me suksese në Europë edhe në sezonet e ardhshme.

“Mendoj se me ekipin që kemi, do të mundohemi ta përsërisim suksesin e këtij sezoni, e pse jo, të arrijmë edhe më lart”, përfundoi sulmuesi.

/GazetaBlic Sport