Lajme

Avokati Hodaj tregon çka ndodh nëse nuk konstituohet Kuvendit as pas afatit prej 12 ditësh

10/09/2025 20:51
nga:G B

Pas një muaji pushim, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish të premten në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Lidhur me këtë, avokati Taulant Hodaj në emisionin “Gazeta”, ka thënë se mosvullneti i deputetëve për të zgjedhur nënkryetarin mund të shkaktojë sërish një situatë të njëjtë bllokuese.

“Duke pas parasysh mosvullnetin e deputetëve që të bëjnë konstituimin e Kuvendit, është shumë e pritshme që të ndodh një gjë e tillë dhe fatkeqësisht Gjykata Kushtetuese nuk i ka treguar pasojat se çka ndodh në rast të mos zgjedhjes së kryetarit ose nënkryetarit,” tha Hodaj.

Ai shtoi se kjo mund të çojë në një kërkesë tjetër te Kushtetuesja, nga deputetët ose nga Presidentja, e cila mund të vendosë për shpalljen e zgjedhjeve ose të gjejë një mekanizëm zhbllokues.

Situata, sipas tij, mbetet e ndjeshme dhe mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në procesin politik në vend.