Lajme

Avdullah Hoti: E vetmja mënyrë për të mbrojtur bujqit është rritja e subvencioneve sipas inflacionit

07/08/2026 13:33
nga:Genita C

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se rritja e çmimeve të inputeve bujqësore po rëndon prodhuesit vendorë, duke përsëritur kërkesën që subvencionet të indeksohen sipas normës së inflacionit të këtyre inputeve, raporton GazetaBlic.

Sipas tij, vetëm një masë e tillë do të mbrojë bujqit dhe prodhimin vendor, ndërsa paralajmëroi se në të kundërt do të ketë më shumë toka të papunuara dhe rritje të importeve ushqimore.

Postimi i plotë:

Ka dy vite që e kam ngritur çështjen e rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, përfshirë këtu plehrat, farërat, pesticidet dhe sigurisht derivatet. Rritja e çmimeve ka qenë shumë më e lartë se trendi i zakonshëm afatgjatë i rritjes së çmimeve në përgjithësi në kuadër të ekonomisë.

Siç kam propozuar në vazhdimësi, e vetmja mënyrë për të mbrojtur bujqit ka qenë dhe mbetet indeksimi i subvencioneve sipas normës së inflacionit të çmimeve të inputeve bujqësore. Konkretisht, subvencionet për kulturat bujqësore duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore.

Vetëm kështu mbrohet bujku dhe prodhimi vendor. Përndryshe, do të shohim më shumë ara djerrinë dhe më pak prodhim vendor. Në markete do të mbushen raftet me produkte nga importi.