Biliardo është një sport që ndërthur teknikën, përqendrimin, strategjinë dhe vetëkontrollin. Edhe pse shpesh perceptohet si një aktivitet rekreativ, ai është një disiplinë sportive e organizuar, me rregulla të mirëpërcaktuara dhe gara zyrtare në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Në vendin tonë , zhvillimi dhe organizimi i këtij sporti bëhet në kuadër të Federatës së Biliardos së Kosovës, e cila punon vazhdimisht për promovimin, avancimin dhe përfaqësimin e biliardos në arenën ndërkombëtare.
Një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të këtij sporti është puna me gjeneratat e reja dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së femrave. Në këtë drejtim, trajneri Avdullah Gashi, përgjegjës për kategorinë e juniorëve dhe të femrave, ka marrë përsipër misionin e ndërtimit të një baze të fortë sportive, duke investuar në edukimin teknik, taktik dhe sportiv të secilit garues.
Roli i trajnerit nuk kufizohet vetëm në përgatitjen për gara, por përfshin edhe formimin e karakterit, kultivimin e disiplinës, respektit dhe frymës sportive.
Trajneri Avdullah Gashi në një prononcim për GazetaBlic Sport thotë se po synon të zhvillojë sa më shumë këtë sport në vendin tonë, me profesionalizëm.
“Përmes punës së vazhdueshme me juniorët dhe sportistet, synohet krijimi i një ambienti ku talenti zhvillohet me profesionalizëm, ndërsa secilit i ofrohet mundësia të arrijë potencialin e tij të plotë. Vizioni për të ardhmen është rritja e numrit të të rinjve dhe vajzave që merren me biliardo, organizimi i aktiviteteve dhe garave zhvillimore, si dhe përgatitja e sportistëve që do ta përfaqësojnë me dinjitet Kosovën në garat ndërkombëtare.
Një falenderim shkon për krejt klubet e biliardos në Kosovë, e vlen te ceket klubi i biliardos ‘Shooters’ i cili vazhdimisht kontribon në këto synime.
Investimi te të rinjtë dhe te kategoria e femrave është investim në të ardhmen e sportit dhe në ndërtimin e një tradite të qëndrueshme të biliardos në vend. Me përkushtim, punë profesionale dhe mbështetjen e Federatës së Biliardos së Kosovës, synimi është që biliardo të zërë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në sportin kosovar, duke krijuar kampionë të rinj dhe duke promovuar vlerat më të mira sportive brenda dhe jashtë vendit”, tha Gashi ndër të tjerash për mediumin tonë.
/GazetaBlic Sport



