Lajme

Asociacioni në dialog, “Oazë” për Serbinë , “Thembër e Akilit” për Kosovën

12/08/2021 15:56
nga:M K

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kthyer në kryetemë.

Madje, i njëjti shkaktoi përplasje edhe ditën e djeshme, në konferencën e përbashkët për media mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe shefit për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, përcjell GazetaBlic.

Përderisa në qarqet kosovare, Asociacioni shihet si “bosnjizim i Kosovës”, BE është duke bërë vazhdimisht presion ndaj Qeverisë Kurti që i njëjti të themelohet, konform marrëveshjes së arritur, duhet pranuar faktin, se e njëjta marrëveshje.

Por, si e shohin analistët kosovarë themelimin e Asociacionin, që në parim për Serbinë do të thoshte pikë e ndritur në diçka të humbur, kurse për Kosovën si pikë tejet e dobët, pasojat e së cilës vështirë se do të riparoheshin më vonë.

Madje, njëri prej tyre tha se nëse pala serbe dhe BE nuk pajtohen me verdiktin e Gjykatës, atëherë zgjidhja e tjetër mund të diskutohet 15 minuta pas njohjes së Kosovës nga Serbia.

Shemsi Jashari, njohësi i zhvillimeve politike, deklaroi se mënyra sesi e tha Kurti mosthemelimin e Asociacionin, tregon se presioni ndaj tij është tejet i madh.

“Deklarata e z. Kurti në Bruksel se nuk do të themelohet Associacioni i komunave me shumicë serbe, në formën si e tha ishte shumë e drejtpërdrejt dhe tregon se ka një presion të madh ndaj qeverisë së Kosovës dhe z. Kurti për ta themeluar atë”, tha fillimisht Jashari.

Në anën tjetër, nëse mund të ndodhë që të bie Qeveria për shkak të dialogut, ai vazhdoi se kemi qenë dëshmitarë të rrëzimit të disa prej tyre dhe se nuk përjashtohet mundësia që një gjë e tillë të ndodhë sërish.

“Bisedimet dhe veprimet në raport me Serbinë, kemi parë se kanë rrëzuar qeveri në të kaluarën dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe kjo qeveri, të detyrohet të dorëhiqet si shkak presioni. Por unë mendoj se pikërishtë për këtë z. Kurti duhet të ndërtoj një front të përbashkët me opozitën kur bëhët fjalë për tema që kanë të bëjnë me raportet me Serbinë, pasi këto tema nuk janë partiake por të rëndësisë nacionale. Nga deklarimet e krerëve opozitarë kemi parë gatishmëri për një unitet rreth kësaj teme dhe kjo duhet të shfrytëzohet”, vazhdoi ai.

Por, Jashari thotë se duhet krijuar një statut i ri për Asociacionin, i cili nuk do të bie ndesh me Kushtetutën, teksa në fund fare tha se raportet me aleatët duhet ruajtur gjithsesi, pasi pa ta nuk mund t’i arrijmë objektivat.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka gjetur mospërputhjet e statutit të propozuar për Asociacion, prandaj ajo që duhet është të propozohet një statut i ri që nuk cenon kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe t’i propozohet për miratim, duke hedhur kështu topin tek pala tjetër.Raportet me aleatët duhet të ruhen dhe të mos krijohen hendeqe, pasi pa aleatë nuk ka mundësi që Kosova të arrijë objektivat e saj”, përfundoi Jashari për GazetaBlic.

Kurse, një analist e publicist që ka qenë pjesë e proceseve të Kosovës më shumë se dy dekada, Halil Matoshi, vlerëson Kosova e ka një obligim ndërkombëtar, pra Themelimin e Asociacionit.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është nën presion nga BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare për themelimin e AKShS, dhe Kosova e ka një obligim ndërkombëtar, Marrëveshjen e Parë të ratifikuar në Kuvend më 2013 që duhet ta përmbush sipas Nenit 39, pika 2 e Kushtetutës”, tha fillimisht Matoshi.

Megjithatë, ai shton se nëse Kushtetuta e miraton, gjithmonë konform ligjeve, atëherë Qeveria obligohet ta dekretojë atë vendim.

“Mirëpo, ai duhet t’ua bëjë të qartë se pala e interesuar (serbët kosovarë) është në potez që ekipi përgatitor (menaxhues) i Asociacionit ta shkruaj Statutin e AKShS, konform verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe i cili, i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese deri te dekretimi nga Qeveria. Verdikti i Kushtetueses e obligon Qeverinë që ta dekretojë AKShS natyrisht pas hartimit të Statutit, i cili duhet të jetë në korniza kushtetuese”, vazhdoi ai për GazetaBlic.

Por, Matoshi shtoi se Qeveria duhet t’ua bëjë me dije se shteti kosovar e ka kryer pjesën e vet dhe nëse pala serbe e BE nuk pajtohen me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë një zgjidhje tjetër mund të diskutohet 15 minuta pas njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Pra Qeveria duhet t’ua bëjë me dije se shteti kosovar e ka kryer pjesën e vet të punës, tash ekipi përgatitor i emëruar nga Qeveria Mustafa 2014 dhe i rikonfirmuar nga Qeveria Haradinaj (2018) duhet ta kryej punën e vet, ta hartojë Statutin. Nëse pala serbe dhe BE nuk pajtohen me verdiktin e GjK duhet pritur që Serbia ta njoh Kosovën dhe tek atëherë, 15 minuta pas njohjes mund të negociohet mes shteteve ndonjë solucion tjetër”, përfundoi Matoshi.

/GazetaBlic/