Lajme

“Asociacioni mund të ishte bërë në 2015, tashmë ka rrezik që mund të na dalë shumë i keq”

05/23/2023 13:44
nga:Y I

Në vazhdimësi nga Bashkësia Ndërkombëtare po i bëhet thirrje Kosovës për implementimin e Asociacionit.

Thirrja e fundit erdhi nga senatori amerikan Chris Murphy, i cili qëndroi për vizitë dje në Kosovë.

Ai tha se “Qeveria Kurti duhet të tregojë nivel të ri serioziteti për Asociacionin”

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, duke folur për “Gazeta Blic” në lidhje me insistimin e Komunitetit Ndërkombëtar për formimin e Asociacionit tha se kjo po ndodh për shkak të konstalacionit dhe situatës gjeopolitike që është për momentin.

Makolli tha se lufta në Ukrainë i ka ndryshu shumë raportet dhe i ka nxitë fuqitë perëndimore që ta zgjidhin sa më shpejt çështjen e Kosovës.

“Kjo po ndodh shkaku i konstalacionit të situatës gjeopolitike momentale. Konstalacioni i raporteve ndërmjet shteteve ndryshon me kohën edhe me situatën. Lufta në Ukrainë i ka ndryshu shumë raportet, i ka nxitë fuqitë perëndimore që ta zgjidhin sa më shpejt çështjen e Kosovës, gjë që është pozitive. Në anën tjetër është favorizu Serbia shkaku që me e tërheq në “oborrin” perëndimor. Serbia ka patur gjithmonë politikanë që i kanë shfrytëzu këto momente, fatkeqësisht gjatë historisë ne skemi patur njerëz që kanë ditë t’i shfrytëzojnë, prandaj dhe jemi ku jemi. Faktori ndërkombëtar “që e ka kriju kete shtet”, kanë me mbrojtë nga çdo rrezik, nga çdo synim që të destabilizohet Kosova. Pastaj është pak edhe faji jonë që nuk i kemi apliku vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk i kemi respektu disa rregulla”

Makolli tutje shtoi se Asociacioni mund të ishte bërë në 2015 dhe se tani ka rrezik që mund të dalë shumë i keq.

“Marrëveshjet ndërkombëtare që i kemi ba në 2013 dhe 2015 është faji jonë sepse çdo Qeveri i ka ik me e ba Asociacionin dhe ja ka dhënë “pataten e nxehtë” tjetrës Qeveri në dorë. Shkaku i këtyre marrëveshjeve kanë ra edhe disa qeveri. Shumë ma lehtë kishte qenë për ne me e pas ba Asociacionin në vitin 2015 se tani. Tani është rrezik se do të na dalë ky Asociacion shumë më i keq se ai që ka mundur të bëhet atëherë” tha Makolli për “Gazeta Blic”


Vesel Makolli, Sekretar i Përgjithshëm AKR

Ndërsa drejtori ekzekutiv i “Demokracia Fillon Këtu” Shemsi Jashari, tha se ‘presioni’ ndërkombëtar për formimin e Asociacionit është drejtu nga Kosova që Serbisë t’i hiqet nga dora një argument për të bllokuar procesin e dialogut.

Jashari tutje shtoi se Asociacioni është edhe një detyrim ndërkombëtar që Kosova e ka marr mbi vete.

“Presioni ndërkombëtar për implementimin e marrveshjes për formimin e Asociacionit është drejtuar nga pala kosovare për disa arsye, e kryesorja besoj është se duan që palës serbe të ia heqin nga dora një argument, një alibi për të bllokuar progresin në dialog. Pastaj për shkak se Asociacioni është çështje kyqe në negociata për palën Serbe dhe se ka qenë një marrveshje, e cila është nënshkruar me 2013-pastaj 2015 dhe tani me 2023 në Ohër dhe është detyrim ndërkombëtar që Kosova e ka marr mbi vete”

“Gjithashtu Kosova është më e cenueshme dhe me lehtë është ti bëhët presion sesa palës serbe që shantazhon me destabilizim të ballkanit në çdo rast që i ipet.Kosova ëshët vonuar në propozimin për draftin e Asociacionit dhe nuk e ka menaxhuar mirë, duke lejuar që drafti i parë, baza nga ku fillohet negocimi për Asociacionin të hartohet nga dikush që ka kërkuar shumë më shumë sesa lejon Kushtetuta dhe tani si kompromis pala serbe por edhe pala ndërkombëtare e njeh çdo lëshim të vogël e qe për Kosovën është e pa pranueshme pasi prek Kushtetutën dhe rendin juridik” tha Jashari në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”

Drejtor ekzekutiv i “Demokracia Fillon Këtu”

/Gazeta Blic/

 

Senatori Murphy: Koha që Qeveria Kurti të tregojë nivel të ri serioziteti për Asociacionin