Qeverisja e Albin Kurtit, gjatë këtij viti, është përballuar me tensione dhe trazira në pjesën veriore të vendit, raporton Gazeta Blic.
Ato kulmuan me 24 shtator, kohë kur u krye një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Nuk vonoi shumë dhe palët (Kosova dhe Serbia) u rikthyen sërish në Bruksel, në takime të ndara me krerët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
Këtë herë kishte një propozim evropian në tavolinë për Asociacionin, propozim ky që u pranua nga kryeministri Kurti.
Por çfarë pritet t’i sjellin gjithë këto zhvillime në aspektin e politikës së brendshme dhe si do të priten ato në elektorat ?
Publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se ngjarjet në veri dhe pajtimi që të krijohet Asociacioni do të duhet të kishin ndikime kontradiktore në gjasat që Albin Kurti të dal fitues në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato mbahen.
Ai tha se megjithëse kriza në veri është shkaktuar edhe nga masat e pakoordinuara të Kurtit, suksesi i operacionit policor në 24 shtator, bëri që të ‘amnistohet’ kryeministri Kurti nga përkrahësit e tij.
“Ngjarjet në Veri, nga njëra anë, dhe pajtimi që të krijohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, nga ana tjetër, do të duhet të kishin ndikime kontradiktore në gjasat e Albin Kurtit që të dal fitues i sigurtë dhe i bindshëm në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen.Zhvillimet në Veri të Kosovës, sidomos pas aventurës me sulmin terrorist që e ka organizuar Radojçiq i Listës Serbe dhe që me arsye dyshohet ka qenë i përkrahur nga presidenti Vuçiq, që për fat dështoj fal reagimit tejet të suksesshëm të Policisë së Kosovës, në bllokun përkrahës të Kryeministrit Kurti, ia ka rritur popullaritetin, ndonëse të dhënat që disponojmë për rrjedhën e aksionit nuk dëshmojnë për rolin aktiv të vetë Kurtit, sepse fitorja ndaj terroristëve i atribuohet profesionalizmit të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, përkatësisht bashkëpunimit të ngushtë mes tyre, që nuk ka qenë sjellje karakteristike për politikat e deriatëhershme të Kryeministrit”
“Përkundrazi, kriza në Veri në dy vitet e fundit është shkaktuar edhe nga masat e pakoordinuara të Kurtit në Veri.Megjithatë, paradoksalisht, suksesi ndaj terroristëve te besimtarët e Kurtit forcoi një bindje amnistuese edhe për rolin dubioz të tij në vetë zhvillimet e krizës në veri, ku ai nuk i pat pranuar këshillat e aletëve ndërkombëtarë, udhëhoqi politika konfrontuese me Perëndimin për ç’ka edhe është ndëshkuar Kosova nga BE dhe SHBA-të” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”.
Ndërsa sa i përket pranimin të Asociacionit, Maliqi, tha se ky është një minus i madh për kryeministrin Kurti sepse ka qenë një ndër pikat kryesore të politikave të tij.
Ai tha se sa i përket kësaj çështjeje, Kurti, do të duhej të humbiste shumë vota kur të mbashin zgjedhjet, por kjo tashmë nuk është e sigurtë.
Maliqi shpalos për këtë dy arsye, e para interpretimi që po i bëjnë përkrahësit e tij dhe opozita e dobët e LDK-së dhe PDK-së.
Publicisti Maliqi tha se LDK dhe PDK në vend që Asociacionin ta argumentojnë si meritë të tyre, po kthehen në ‘gjah’ të një pjese të votuesve që e paraqesin si tradhëti.
“Nga ana tjetër, pajtimi që të krijohet Asociacioni është një minus i madh për Kurtin sepse refuzimi i asociacionit ka qenë ndër pikat kryesore të politikave të tija populliste që ia kanë mundësuar fitorën bindëse në zgjedhjet e fundit. Te kjo çështje, ai do të duhej të humbte shumë vota. Por, nuk është e sigurtë se do të ndodh kjo sepse përkrahësit e tij tani kanë filluar ta interpretojnë ndryshimin radikal në qasjen e Kurtit ndaj Asociacionit si veprim të detyruar për shpëtimin e Kosovës nga lufta e re.Te kjo çështje mund të ketë ndikim edhe opozita e dobët e LDK-së dhe PDK-së, që nuk po arrijnë të kapitalizojnë ‘sallto mrotalen’ e Kurtit, ngase rreth vetë çështjes së Asociacionit kanë mbajtur një qasje të pavendosur dhe tani sikur preferojnë që të deklarohen kundër Asociacionit, në vend që të afirmojnë të vërtetën e liderëve rë mëhershëm, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilët tani po del se në vitin 2013 dhe 2015, kanë pas drejtë që janë pajtuar me Asociacionin në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Pra në vend që të argumentojnë se Asociacioni, – i detyrueshem edhe me Planin me Ahtisarit, – është meritë e largëpamësisë së PDK dhe LDK dhe koordinimit strategjik me BE dhe SHBA, po tentojnë që të kthehen në gjah të një pjese të votuesve që Asociacionin ta paraqesin, si dikur Kurti, si tradhëti” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”
Ai tha se deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja pritet të shihet se çfarë do të ndodhë me opozitën dhe qeverisjen e Kurtit.
“Megjithatë, deri në shpalljen e zgjedhjeve mund të ketë këndellje të opozitës, sikundër që edhe në taborin e Kurtit mund të ketë turbullira dhe probleme me inkompetencën dhe problemet e mëdha me qeverisje. Faktori kyç si edhe në zgjedhjet e vitit 2021 do të jetë qëndrimi i 100 mijë ish votuesve të LDK-së, që Vjosa Osmani ia fali Kurtit, dhe tani me ngadalë po kërkon një platformë dalëse na vartësia artificiale me Kurtin” deklaroi Publicisti Maliqi në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


