Sporti

Arsim Thaqi: Deri tani kemi vuajtur pasojat e trajnerëve që nuk kanë qenë të guximshëm, Foda ka nevojë t’i njoh edhe më shumë lojtarët

03/29/2024 09:07
nga:E K

Kosova mbylli dy ndeshjet miqësore të muajit mars ndaj Armenisë dhe Hungarisë me dy rezultate të kundërta.

Fillimisht Foda debutoi me fitore minimale ndaj Armenisë 0-1, për t’u mposhtur nga Hungaria katër ditë më pas me rezultat 2-0.

Trajneri kosovar, Arsim Thaqi për ‘GazetaBlic Sport‘ komentoi debutimin e Fodës në stolin e Kosovës duke thënë se këto ndeshje miqësore dhanë sinjale pozitive për të ardhmen.

“Mendoj se pas këtyre dy ndeshjeve, Foda ka nevojë t’i njoh edhe më shumë lojtarët, edhe lojtarëve iu duhet kohë për të kuptuar filozofinë e trajnerit. Loja e parë edhe pse u fitua dhanë përshtypjen që kanë qenë të lodhur, kurse ndeshja e dytë sidomos në pjesën e parë kanë luajtur lojën më të mirë në këto dy tri vitet e fundit, por pastaj në pjesën e dytë me zëvendësimet që u bënë u prishën balancat dhe pranuam dy gola. Megjithatë mendoj se është një trajner pozitiv, i durueshëm dhe në bazë të deklaratave të lojtarëve shihet se janë të kënaqur të luajnë nën urdhërat e tij. Shpresoj se ky trajner do të jetë ideal që t’i ndihmoj Kosovës për qëllimet që pretendon”, tha fillimisht Thaqi.

Thaqi deklaroi se kishte pritur më shumë minuta për lojtarët e rinj që ta provojnë vetën, por e sheh aktivizimin e lojtarëve të ‘vjetër’ si test nga Foda për të parë nëse do ftohen sërish për të ardhmen apo jo.

“Normalisht që shpresova që pas zëvendësimit të Zhegrovës do të aktivizohej Hazrollaj i cili është lojtari më ideal për atë pozitë pasi ka stilin e lojës pak a shumë të ngjashëm me Zhegrovën, por sidoqoftë është vendimi i trajnerit. Valon Berisha mendoj se nuk ishte adekuat për pjesën e dytë, ato ndryshime i shoh se ai do të testoj lojtarët se a janë të mirë mjaftueshëm për të ardhmen. Shpresoj që në ndeshjet e qershorit t’i përdorë edhe lojtarët e rinj dhe të përgatiten që të japin kontributin e tyre për Kombëtaren e Kosovës”, shtoi ai.

“Ne i kemi vuajtur pasojat e trajnerëve që nuk kanë qenë të guximshëm, tash Kosova ka një grup të lojtarëve që kanë dalur nga Superliga e Kosovës dhe luajnë në nivelet shumë të larta, mendoj se duhet t’iu jipet përparësi këtyre lojtarëve si Zyba që është mesfushor me cilësi defanzive, organizator i mirë i lojës dhe normalisht se është pak e habitshme që nuk është ftuar duke parë që Kosova ka nevojë më së shumti në këto pozita që të gjindet zgjidhje adekuate. Ndoshta nuk ka njohuri të mjaftueshme si fillim për të gjithë lojtarët, por shpresoj që deri në qershor të grumbulloj informacione për të gjithë dhe t’iu jap mundësinë lojtarëve që u cekën më larët”, përfundoi Thaqi për GazetaBlic Sport.