Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarin J.B (32 vjeçar), i cili me urdhëresë të gjykatës po kërkohej për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, me dënim burgimi prej dy vite.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga policia, ku thuhet se arrestimi i të dyshuarit u bë mëngjesin e sotëm në shtëpinë e të njëjtit, pasi stacioni policor në Hani Elezit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka pranuar informacion inteligjent rreth tij.
“Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për veprën penale ‘’Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste ’’ me dënim burgimi prej dy (2) vite”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.


