Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së martë, më 13 maj, zyrtarë nga Departamenti i Kufirit kanë iniciuar dy raste kriminale për veprën penale “kontrabandë me migrantë”, ku janë arrestuar katër persona të dyshuar.
Sipas njoftimit, rasti i parë ka ndodhur rreth orës 13:45 në zonën e Rugovës, ku zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Rahovec kanë ndaluar një automjet të drejtuar nga një mashkull kosovar me inicialet B.K..
Gjatë kontrollit të automjetit janë hasur 12 persona, të cilët pas verifikimeve kanë rezultuar të jenë shtetas të Sudanit. Ata posedonin dokumentacion azil-kërkimi nga Greqia.
Sipas Policisë, i dyshuari ishte duke i transportuar migrantët në drejtim të kufirit me Malin e Zi.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari B.K. është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa emigrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar po më 13 maj, rreth orës 20:35, në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit.
Policia ka bërë të ditur se njësiti patrullues i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Han të Elezit, në kuadër të planit operativ “Migrimi ilegal”, gjatë vëzhgimit të terrenit me dron ka vërejtur dy persona duke kaluar në këmbë vijën kufitare nga fshati Bllacë i Maqedonisë së Veriut në territorin e Kosovës.
Sipas autoriteteve, pranë pikëkalimit kufitar ishte duke pritur një automjet për t’i transportuar ata më tej brenda territorit të Kosovës.
Njësitë policore kanë arritur ta ndalojnë automjetin dhe të arrestojnë tre shtetas kosovarë me inicialet Q.C., P.L. dhe A.B., si dhe një shtetas të Bangladeshit.
“Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti ‘kontrabandë me migrantë’ dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet më tej në njoftim.
Viktima nga Bangladeshi është trajtuar nga njësia për migrim dhe është dërguar në Qendrën e Strehimit për Migrantë në Vranidoll.
Policia ka bërë të ditur se në kuadër të rastit janë sekuestruar përkohësisht një automjet me targa vendore dhe katër telefona mobilë.


