Mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi, para ndeshjes së nesërme kundër Zalgiris në konferencën për shtyp ka deklaruar se si kampion të Superligës së Kosovës e kanë obligim që të japin më të mirën.
Me fillim nga ora 18:00 nesër në Lituani do të zhvillohet dueli ndërmjet Zalgiris dhe Ballkanit në kuadër të fazës së parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Rreth këtij ballafaqimi në konferencë për shtyp mbrojtësi, Armend Thaqi, ka premtuar se do të japin maksimumin nesër për ta kaluar këtë kundërshtar.
“Pikë së pari e përfaqësojmë Kosovën, jemi kampion, e kemi obligim ta japim më të mirën, ta përfaqësojmë vendin dhe Superligën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe gjithë tifozëve të futbollit të Kosovës ju premtoj se do të japim maksimumin nesër për të kaluar këtë kundërshtar dhe ta shkruajmë historinë në futbollin tonë,” tha ai.
Ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1-1.


