Kombëtarja e Shqipërisë mori dy fitore në dy ndeshjet e qershorit të vlefshme në kuadër të grupit për kualifikim në kampionatin evropian “Euro2024”. Në këtë grumbullim ishte prezent edhe sulmuesi i njohur kuqezi, Armando Sadiku.
Shqipëria fitoi ndaj Moldavisë në “Air Albania” me rezultatin 2:0, teksa në udhëtim triumfoi ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 1:3, për të marrë në total gjashtë pikë dhe për të fituar vendin e dytë tashmë në renditje.
Armando Sadiku thotë se trajneri i ri i kombëtares shqiptare, Sylvinho po bën punë shumë të madhe dhe po nxjerrë më të mirën nga lojtarët.
“Trajneri Sylvinho po nxjerrë më të mirën nga ne. Është një punëtor shumë i madh dhe është duke bërë një punë shumë të madhe dhe të palodhshme me ne çdo ditë dhe ne jemi shumë të kënaqur me idetë dhe gjërat e reja që po aplikon në ekip. Jemi duke e ndjekur me shumë vëmendje dhe po i zbatojmë urdhërat e tij”, tha fillimisht Armando Sadiku për ‘GazetaBlic Sport’.
Ëndrra e shqiptarëve padyshim se është të arrijmë kualifikimin në Euro2024 të Gjermanisë, e ndjenjën e të luajturit me kuqezinjtë në një kampionat kaq të rëndësishëm evropiane di Armando Sadiku, pasi ai ishte golashënuesi i vetëm i Shqipërisë në Euro2016, me golin e realizuar në fitoren 0-1 ndaj Rumanisë.
Sadiku thotë se tifozët janë të mrekullueshëm në ndeshjet e fundit, andaj i duhet mbështetja e tyre për të ripërsëritur kualifikimin në kampionatin evropian.
“Kundër Moldavisë në ‘Air Albania’ ishte një mbrëmje e paharrueshme, ku i gjithë stadiumi ishte i mbushur dhe besoj që ishte një faktor që ne e fituam ndeshjen, por do kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë deri në ndeshjen e fundit në nëntor kundër Ishujve Faroe dhe shpresojë që të përsëritet historia dhe ne të shkojmë në Europian, sepse ne do japim 100% me këtë grup lojtarësh që kemi në çdo ndeshje dhe shpresojë që shkojmë sërish në Europian”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


