Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se kërkesa e SHBA-ve dhe BE-së për shtyrjen e afatit të targave, është e arsyshme.
Në një prononcim për Gazeta Blic, Arifi thotë se vendimi i Qeverisë Kurti që mori për këtë çështje, është i pafalshëm dhe keq i menduar, teksa cek faktin që një vendim i tillë për targat ka sjell dëme të mëdha për Republikën e Kosovës.
“Thirrjet e SHBA-ve dhe BE-së për shtyrjen e afatit për targat janë të arsyeshme, për shkak të gjendjes së krijuar në teren. Pra, është një gabim i pafalshëm që ka bërë Qeveria Kurti, një vendim jashtëzakonisht shumë keq i kalkuluar sepse pasojat janë shumë të rënda për Kosovën. Tash shtyerja nuk është opsion, por kush do të jap llogari për këtë dëm që bëri Qeveria e Kosovës?”, thotë Arifi.
Sipas Arifit, një situatë e qetë në veri të Kosovës do të arrihet vetëm me marrëveshje politike, nëse siç thotë ai, Qeveria Kurti koordinohet me partnerët ndërkombëtar.
” Shtyerje për afatit e targave duhet të ketë, në këtë mënyrë do të ketë ulje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, por jo i fërkimeve etnike sepse me 18 dhjetor do të kemi prap zgjedhje në veri. Ne duhet të kemi marrëveshje politike, në mënyrë që të kemi “rehati” në veri të Kosovës. Veprimet e Qeverisë duhet të koordinohen me partnerët tanë, jo të veprohen kokë me vetë dhe tash kur jemi në situatë të ngushtë, nuk dinë se çfarë të bëjnë”, tha Arifi.
Arifi tha se vizita e zv/kryeministrit të Kosovës, Bisnik Bislimi në Bruksël dëshmoi që Qeveria nuk ka plan për asgjë, dhe sipas tij shkuarja e tij është gabim i madh.
“Shkuarja e Bislimit në Bruksel është gabimi i rradhës, që dëshmoi se Qeveria Kurti nuk ka plan për asgjë”, përfundoi Arifi për Gazeta Blic.


