Sporti

Ardian Nuhiu flet pas fitores 7-0 të skuadrës së tij: Më vjen keq për gjendjen që ndodhet Feronikeli, por duhet të mësohemi edhe me këto situata

02/12/2022 15:54
nga:Mergim Rreci

Kanë përfunduar ndeshjet e ditës së sotme në Superligën e Kosovës.

Drita ka shënuar fitore të thellë ndaj Feronikelit, shkruan GazetaBlic Sport.

Rezultati përfundimtar i këtij takimi ishte 7 me 0. Hamdi Namani shënoi tre gola, kurse Simonovski, Muja, Tahiri dhe Kryeziu shënuan golat e tjerë.

Drita tashmë është në vendin e parë me 37 pikë, Ballkani në vendin e dytë me 36, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e tretë.

Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu pas ndeshjes është shprehur i kënaqur me fitoren, por gjithashtu ka shprehur keqardhje për gjendjen në të cilë gjendet skuadra e Feronikelit.

“Jam i kënaqur me fitoren dhe pikët, pasi qëllimi ka qenë ta fitojmë këtë ndeshje dhe ia arritëm”.

“Ne jemi profesionistë dhe duhet të mësohemi të fitojmë gjithmonë pa marrë parasysh kush është kundërshtar. Më vije keq për gjendjen që ndodhet Feronikeli, por duhet të mësohemi edhe me këto situata”, tha fillimisht Nuhiu.

“Ndeshjet i marrim një nga një dhe futemi gjithmonë për fitore, por normal na intereson se çka bëjnë edhe kundërshtarët. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe sikur qysh i kemi ndjekur kundërshtarët tani na ndjekin ata dhe duam ta mbajmë këtë pozitë”.

“Llapi ka skuadër të fortë, duhet ta përgatitemi ndeshjen dhe ta analizojmë atë, pasi përqendrimi ka qenë vetëm te Feronikeli”, u shpreh Nuhiu.

Në javën e 20-të, Drita do të ketë punë mjaft të vështirë, pasi e pret skuadrën e Llapit.

/GazetaBlic Sport/