Skuadra kosovare e futbollit, Vushtrria është një nga pretendentët kryesor për t’u promovuar në Superligën e Kosovës.
Vushtrria po kalon formë të mirë edhe në sesionin pranveror në Ligën e Parë duke arritur dy fitore ndaj Kikës dhe Vllaznisë dhe duke u pozicionuar në vendin e tretë në tabelë, pas Ulpianës dhe Fushë Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.
Edhe në Kupën e Kosovës skuadra nga Liga e Parë po kalon në formë të mirë duke arritur të kap çerekfinalet, aty ku përballë do ta ketë KF Beharin.
Ardi Shala lojtar i Vushtrrisë në një prononcim për GazetaBlic Sport, ka folur për objektivat e klubit.
Shala thotë se Vushtrria ka cilësi për t’u promovuar në Superligë dhe se Kupa e Kosovës është një nga synimet e ekipit.
“E kemi nisur mirë edhe sesionin pranveror me dy fitore. Shpresojmë që ta vazhdojmë këtë ecuri edhe për ndeshjet e ardhshme. Atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë“, tha fillimisht Shala.
Duke folur për ndeshjen e ardhshme e cila do të jetë pikërisht ndaj rivalit direkt për pozitat e para, KF Ulpiana, Shala deklaroi se ky duel do jetë shumë i vështirë duke qenë se është edhe derbi i javës.
“Është derbi i javës. Ne në çdo takim shkojmë për fitore, por edhe kundërshtari po kalon formë të mirë, prandaj pritet të jetë një ndeshje e fortë“, shtoi ai.
“Kupës së Kosovës i kemi shkuar mirë, deri tani kemi arritur çerekfinalet. Jemi favorit në këtë takim (ndaj KF Beharit), por ne do e marrim ndeshjen shumë seriozisht dhe shpresojmë të kalojmë tutje dhe të jemi befasia e Kupës së Kosovës në këtë edicion“, vazhdoi lojtari i Vushtrrisë.
“Objektivat janë të qarta. Ne do të synojmë inkuadrimin në Superligë dhe besoj se kemi cilësi për ta arritur këtë. Me mbështetjen e kryesisë dhe të tifozëve Superliga e Kosovës është shumë e arritshme“, përfundoi Shala për GazetaBlic Sport.


