Lajme

Aplikimi për anëtarësim në BE/ Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon 6 fazat dhe shanset e pranimit të Kosovës

12/15/2022 08:42
nga:G B

Kosova dje zyrtarisht ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Krerët e shtetit thanë se kjo ditë është historike.

Ky aplikim i Kosovës është bërë edhe pse nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, thotë për Gazeta Blic se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces kompleks që kërkon kohë dhe kur një vend kandidat përmbush kriteret e anëtarësimit, ai duhet të zbatojë legjislacionin e BE-së në të gjitha fushat.

“Çdo vend që plotëson kriteret e anëtarësimit mund të aplikojë. Këto kritere, të quajtura “kriteret e Kopenhagës”, kanë të bëjnë me demokracinë e qëndrueshme dhe shtetin e së drejtës, një ekonomi tregu funksionale, si dhe miratimin e të gjithë legjislacionit evropian, përfshirë euron”, thotë ai.

Ai shpjegon se procedura për anëtarësim në BE mund të ndahet në 6 faza.

“Procedura për anëtarësim në BE mund të ndahet në 6 faza: Dorëzimi i aplikimit, Marrja e statusit kandidat, Strategjia e para-anëtarësimit, Negociatat, Traktati i Aderimit, Integrimi”.

Voca tregon pse është një hap i rëndësishëm ky aplikim.

“Aplikimi i Kosovës në BE është një hap i rëndësishëm sepse tani fillon një periudhë përgjatë së cilës Kosova duhet fokusuar shumë më seriozisht për zhvillim të brendshëm në të gjitha fushat”, thekson ai.

Sipas tij, Kosova është në fazën fillestare të procedurës dhe kandidatura njihet vetëm pas votimit unanim të Komisionit Evropian.

“Kosova gjendet vetëm në fazën më fillestare të procedurës për anëtarësim, e cila sapo ka dorëzuar një kërkesë për kandidaturë në Këshillin Evropian, dhe i cili ia dërgon Komisionit Evropian për ta shqyrtuar dhe për të përcaktuar nëse mund të jetë kandidate. Kandidatura njihet vetëm pas votimit unanim të Komisionit, por ku abstenimet nuk bllokojnë”, potencon Mirsad Voca për Gazeta Blic.

Më tej, ai thotë se aplikacioni bëhet zyrtar dhe fillon faza e strategjisë që vijon me atë të negociatave dhe më pas, nëse Komisioni konsideron unanimisht se janë përmbushur të gjitha kriteret, aderimi hyn në fazën përfundimtare, por që mjafton që vetëm një vend të vë veton e tij dhe e bllokon procesin.

“Pas këtij verifikimi, aplikacioni bëhet zyrtar. Pastaj fillon faza e strategjisë së para anëtarësimit që vijon me atë të negociatave. Gjatë kësaj periudhe, vendi kandidat duhet të jetë në përputhje me standardin evropian. Nëse Komisioni konsideron unanimisht se të gjitha kriteret janë përmbushur, aderimi mund të hyjë në fazën përfundimtare të vlefshmërisë, përkatësisht: një votim unanim nga Këshilli Evropian (gjithmonë duke pranuar abstenimet), një votim i shumicës në Parlamentin Evropian dhe në fund ratifikimi nga të gjithë Shtetet Anëtare të Traktatit të Aderimit. Mjafton që vetëm një vend  të vë veton e tij dhe ai do të bllokojë procesin”, deklaron njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Voca shton se që të hapen negociatat, shtetet duhet të vendosin njëzëri dhe për këtë duhet plotësuar kriteri politik që është respektimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Që shtetet anëtare të vendosin njëzëri për hapjen e negociatave, duhet të plotësohet kriteri politik (respektimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut). Pasi të kenë hapur negociatat e anëtarësimit, Komisioni Evropian mat zbatimin e kritereve të tjera të Kopenhagës dhe monitoron përputhshmërinë e tyre. Secili kandidat zhvillon qëndrimin e tij në 35 kapitujt e acquis të Bashkimit Evropian, si bazë për negociata”, vlerëson ai.

Ai potencon se ritmi i negociatave varet nga shkalla e përgatitjes së secilit vend kandidat dhe është e vështirë të vlerësohet paraprakisht kohëzgjatja e negociatave me secilin vend.

“Ritmi i negociatave varet nga shkalla e përgatitjes së secilit vend kandidat, kompleksiteti i çështjeve që do të trajtohen dhe vullneti politik i Shteteve Anëtare si dhe ai i vendeve kandidate për të vënë në zbatim reformat e pritshme. Kjo është arsyeja pse është e vështirë të vlerësohet paraprakisht kohëzgjatja e negociatave me secilin vend”.

Ai përmend edhe metodologjinë e re për procesin e integrimit të miratuar në vitin 2020 nga Këshilli Evropian, sipas të cilit, kapitujt e mbyllur të negociatave mund të rihapen nëse vërehet regresion.

“Në mars të viti 2020, Këshilli evropian miratoi një metodologji të re për procesin e integrimit, pas një propozimi të Komisionit Evropian. E nxitur nga Franca, kjo reformë prezanton veçanërisht një parim të kthyeshmërisë. Kjo do të thotë se kapitujt e mbyllur të negociatave mund të rihapen nëse vërehet një regresion në zonat në fjalë. 35 kapitujt e negociatave klasifikohen gjithashtu në gjashtë grupe tematike  bazat e të cilit janë; treg i brendshëm; konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; program mjedisor dhe lidhje të qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni; Marrëdhëniet me jashtë. Prandaj, shtetet me të cilat janë hapur diskutimet e anëtarësimit, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të zbatojnë procedurën e rishikuar në vitin 2020. Dhe megjithëse negociatat tashmë kanë nisur me Serbinë dhe Malin e Zi, të dyja vendet kanë pranuar parimin e kësaj metodologjie të re”, shton Voca.

Krejt në fund,  ai thekson se janë të mëdha shanset që Kosova dhe Ballkani Perëndimor të pranohen në BE me procedurë të përshpejtuar, për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe gjeostrategjike në rajon dhe është në interes që ta fus në gjirin e saj Ballkanin Perëndimor.

“Shanset që Kosova dhe Ballkani Perëndimor të pranohen në BE me një procedurë të shpejtë janë të mëdha duke pasur parasysh rrethanat gjeopolitike dhe gjeostrategjike në rajon dhe në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Është edhe në interes të politikës së jashtme të BE-së që të fus në gjirin e saj sa më shpejt tërë Ballkanin Perëndimor për të mbuluar atë hapësirë që po shfrytëzohet sistematikisht për të vënë në dyshim besueshmërinë e BE-së si në politikë të jashtme ashtu në çështjen e sigurisë”, përfundon njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca./Gazeta Blic/