Sporti

Analisti i basketbollit, Ismet Ferati komenton finalen mes Trepçës dhe Pejës: Dy ekipet kanë punuar shumë për këtë moment, presim finale interesante

05/03/2023 14:07
nga:E K

Trepça dhe Peja do të përballen sot në finalen e madhe të basketbollit kosovar.

Të dy ekipet patën punë të vështirë në gjysmëfinalet e playoffit aty ku u eliminuan Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli, shkruan GazetaBlic Sport.

Peja përfundoi ‘punën’ më shpejt pasi e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultat 3-1 në serinë e gjysmëfinaleve, kurse Trepça siguroi biletën e finales në ndeshjen e fundit në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë për të dërguar serinë e ndeshjeve me rezultat 3-2.

Ish basketbollisti dhe analisti i basketbollit të Kosovës, Ismet Ferati ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ për përballjen e sotme që na pret në “Minatori” me fillim nga ora 20:00.

Ferati gjatë prononcimit tha se do të jetë një finale shumë e zjarrtë duke vlerësuar të barabarta gjasat e të dy skuadrave për triumf.

“Pas dy gjysmëfinaleve shumë interesante dhe të vështira për të dy ekipet, vjen finalja që të gjithë e presin me padurim. Dy ekipet kanë punuar shumë për këtë moment dhe tani presim një finale shumë interesante me dy ekipe në formë të jashtëzakonshme”, tha fillimisht ai.

Sipas Feratit, Trepça ka përparësi për shkak që ndeshjen e parë e luan si vendas, megjithatë ai e konsideron Pejën si një skuadër në formë që po tregon ndeshje të mira.

“Personalisht mendoj që gjasat janë 50/50. Trepça ka një përparësi pasi ka përparësinë e fushës, mirëpo forma e jashtëzakonshme e Pejës muajve të fundit na lënë të kuptojmë se puna që po bën trajneri i Pejës është shumë e mirë. Forma e bartësve të lojës do të ketë rol shumë të madh, taktikisht trajnerët duhet të jenë shumë mirë të përgatitur. Gjithë këto faktorë na lënë të shpresojmë për një finale shumë të fortë me një tifozeri të zjarrtë”, shtoi ai.

“Shpresoj që gjithçka të kalojë në mënyrën më të mirë dhe që gjithçka të vendosin aktorët në fushë”, përfundoi Ferati për ‘GazetaBlic Sport‘.