Lajme

Ambasadorja amerikane në Shkup: Qytetarët duan të shohin ndryshime

07/02/2024 20:09
nga:G B

“Qeveria e re, gjatë fushatës së saj, qartazi tregoi se cilat mendon se janë ndryshimet e nevojshme. Tani, mendoj që është përgjegjësi e çdo qytetari në këtë vend dhe të gjithë neve që t’i kapim për fjale, të shihet nëse përputhen aktivitetet me deklaratat e dhëna gjatë kohës së fushatës”, tha në intervistën për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler.

Ndër tjerash ajo foli për Marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë duke theksuar se “nuk ka rinegocim për Prespën, nuk ka rinegocim për përparimin e arritur drejt BE-së”.

Ajo përsëriti se korrupsioni në Maqedoninë e Veriut “është epidemi, është kancer e që duhet të zgjidhet. SHBA-ja dhe kjo ambasadë do të vazhdojnë të punojnë fuqishëm, që ta përkrahin çdo program i cili do ta zgjidhë [problemin me] korrupsionin”.

Duke folur për reformën në gjyqësor, ambasadorja amerikane theksoi nevojën e largimit të politikës nga gjyqësori.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të presin qytetarët maqedonas nga Qeveria e re, cilat duhet të jenë prioritetet e Qeverisë së re?

Angela Angeler: Demokracia është shumë e brishtë, dhe e pamë vendin edhe gjatë kohës së fushatës elektorale, edhe në zgjedhjet të cilat ishin sfidë edhe për qytetarët, edhe për kandidatët në këtë vend. Por, rezultatet ishin shumë përcaktuese. Zgjedhjet ishin fer dhe demokratike, pavarësisht cilën parti dhe kë e përkrahën qytetarët. Është pozitive të shohësh se si po përparon ky proces demokratik për njerëzit e këtij vendi. Ata shumë qartazi i thanë lidershipit se duan të shohin ndryshime.

Qeveria e re, gjatë fushatës së saj, qartazi tregoi se cilat mendon se janë ndryshimet e nevojshme. Tani, mendoj që është përgjegjësi e çdo qytetari në këtë vend dhe të gjithë neve që t’i kapim për fjale, të shihet nëse përputhen aktivitetet me deklaratat e dhëna gjatë kohës së fushatës. Ata folën për menaxhimin me korrupsionin, folën për rritje të ekonomisë, folën për energjinë dhe infrastrukturën, për rëndësinë e arsimimit dhe shëndetësisë për çdo qytetar në këtë vend. Do t’i përcjellim me vëmendje – e di se edhe të gjithë ju do t’i përcillni – se si do të realizohen këto premtime në vepra dhe rezultate për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Radio Evropa e Lirë: Por, në fokus këto ditë është përdorimi i emrit kushtetues ‘Maqedonia e Veriut’ nga ana e Qeverisë së re. Kryeministri Hristian Mickoski dhe të gjithë ministrat e përdorën emrin gjatë betimit. Por, Mickoski ishte i qartë që emrin [Maqedonia e Veriut] do ta përdorë vetëm në komunikime zyrtare, e jo brenda shtetit. A është një gjë e tillë në pajtim me Marrëveshjen e Prespës?

Angela Angeler: Të jem shumë e qartë, Marrëveshja e Prespës ishte absolutisht historike për shtetin. E di se për shumë njerëz ishte tej mase e vështirë ta pranojnë ndryshimin e emrit. Por, kjo është marrëveshje ndërkombëtare, për të cilën u pajtuan Qeveria e asaj kohe dhe bashkësia ndërkombëtare. Ne, gjithsesi, ishim pjesë e këtij procesi dhe ne duartrokitëm. Ishte një gjë që i ndihmoi Maqedonisë së Veriut për të hyrë në NATO dhe fitoi shumë mundësi për të përparuar drejt Bashkimit Evropian.

Jemi shumë të kënaqur që kryeministri i ri dhe ministrat e rinj e thanë ‘e Veriut’ në betim. Kjo është me rëndësi kyçe dhe është pjesë themelore e Marrëveshjes. Tani do ta përcjellim me shumë vëmendje se si do të respektohet.

Por, siç e thashë, me respektimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila është kyçe, gjithsesi ka mundësi… Prioritet për ne këtu në Shkup, në Ambasadën amerikane, dhe për Uashingtonin, është që të kalohet përpara te prioritete shumë me rëndësi, për të cilat duhet të flasë ky vend.

Ndiej sikur ka një sasi shpërqendrimi të vëmendjes dhe mbledhje pikësh nga kjo se kush çfarë ka thënë. Por, me rëndësi është të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat kryeministri tha se do ta bëjë, të shkojmë përpara dhe t’i mbajmë bisedimet e rëndësishme.

Për shembull, në Uashington, muajin që vjen, për vetëm disa javë, ai dhe disa nga ministrat e tij kryesorë do të marrin pjesë në samitin e NATO-s, në 75-vjetorin e aleancës. Maqedonia e Veriut është aleat i mrekullueshëm, i fuqishëm në NATO, dhe duam që në Uashington të bisedohet për Ukrainën, për zgjerimin, për zhvillimin dhe përforcimin e aleancës që kemi, e cila është shumë vendimtare për paqen në Evropë, për këto gjëra duhet të bisedohet.

Radio Evropa e Lirë: Por, në kontekstin e NATO-s, çfarë do të thotë nëse Maqedonia e Veriut nuk i respekton marrëveshjet ndërkombëtare, si ajo e Prespës ose Marrëveshja me Bullgarinë?

Angela Angeler: Le të mos përdorim hipoteza. T’i përmbahemi asaj që bënë deri më tani kryeministri dhe ministrat. E përdorën termin Maqedonia e Veriut në betimin e tyre. Ai ende nuk ka qenë në një takim të parë ndërkombëtar, që pritet të jetë në Uashington. Le t’i ndjekim aktivitetet e tij, fjalët e tij këtu, e të mos gjykojmë vetëm për respektimin e Prespës, por dhe për ecurinë drejt zgjidhjes së problemeve të tjera të shumta, përfshirë këtu fqinjët, edhe Greqinë edhe Bullgarinë. Që nga arritja e Marrëveshjes së Prespës duhet të përmendet fakti se sa mbështetës i rëndësishëm ishte Greqia për këtë vend. Lloji i mbështetjes që dha ajo, është e një niveli të fqinjit të rëndësishëm, e këto marrëdhënie nuk janë marrëdhënie që ndonjëri do që të prishen.

Shpresojmë në bisedimet ndërmjet të dyja palëve që vendi të përparojë lidhur me prioritetet që po flasim.

Radio Evropa e Lirë: Reagimet nga Greqia po vazhdojnë, gjithashtu edhe nga Bullgaria. Autoritetet e Bullgarisë deklaruan se janë kundër bisedimeve të reja me Maqedoninë e Veriut, pasi që Mickoski shprehu gatishmëri që të bisedohet përsëri, por deklaroi se kurrë nuk do të votojë për ndryshime kushtetuese. A po e nxit SHBA-ja një dialog të ri ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut?

Angela Angeler: Këto marrëveshje janë arritur. Nuk ka rinegocim për Prespën, nuk ka rinegocim për përparimin e arritur drejt BE-së. Kjo është shumë e qartë. Ka dallim, siç e dimë, në vendin tim, në mes asaj që është thënë në fushatë, çfarë është thënë ndër vite, e çfarë tani me qëllim që të ecet përpara. Shpresojmë fort që të bëhet progres, se ato përdorime apo terminologji të vjetra mund të lihen anash, se fqinjët, pavarësisht kush, duke filluar nga Maqedonia e Veriut, do të mund të zhvillojnë bisedime të rëndësishme, nga të cilat të gjithë të përfshirët do të kenë dobi. Shpresojmë që kjo do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat mund të jenë pasojat nga përkeqësimi i marrëdhënieve me fqinjët? Mos ndoshta izolimi i Maqedonisë së Veriut apo diçka tjetër?

Angela Angeler: Nuk brengosem për hipoteza. Shpresoj që të gjitha palët do të bisedojnë me shumë sinqeritet dhe produktivitet se si të shkohet përpara. Jo vetëm mes dy apo tre fqinjësh, por si të përparohet në kontekstin në zemër të Evropës. Se si të përparohet në marrëdhëniet euroatlantike, të cilat fillimisht do të jenë produktive për qytetarët e këtij vendi dhe më gjerë për rajonin ballkanik, dhe për Evropën dhe partneritetin transatlantik.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti amerikan, Joe Biden, e zgjati edhe për një vit urdhrin ekzekutiv për gjendje të jashtëzakonshme në Ballkan. Gjendja është e ndjeshme. Çfarë ndikimi ka për Maqedoninë e Veriut?

Angela Angeler: Ky urdhër ekzekutiv mbulon gjithë Ballkanin Perëndimor dhe nuk ka ndryshime të rëndësishme në programet tona, as në bisedimet tona, as në marrëdhëniet tona diplomatike këtu. Duhet ta pranojmë se kjo është një pjesë e komplikuar e botës dhe se duhet t’i kushtohet vëmendje. Këtë e bëjmë ne në Ambasadë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e re theksoi përkrahjen e saj për Ukrainën, por në të njëjtën kohë e ka për zëvendëskryeministër Stoilkoviqin, i cili është shumë i afërt me Moskën. A brengoseni për këtë?

Angela Angeler: Veçse e thashë, unë nuk e njoh zëvendëskryeministrin e ri dhe nuk di se deri në çfarë mase ndryshon pozicioni i tij në krahasim me atë që ishte paraprakisht. Por, mund t’ju them që nisa me takime zyrtare me Qeverinë e re. U takova me kryeministrin dhe me ministrin e Mbrojtjes dhe me të dy kisha bisedime të shkëlqyera edhe për Ukrainën. U ndjeva rehat me garancitë që më dhanë që të dy për vazhdimin e përkrahjes për Ukrainën përmes NATO-s, dhe për përkushtimin e fuqishëm që të vazhdohet me ndarjen e 2-përqindëshit kyç nga Prodhimi i Brendshëm i Vendit, gjë që shumë aleatë të tjerë të NATO-s nuk e arritën.

Tani jam shumë e bindur se kur do të vijnë në Uashington, javëve në vijim, e di që do ta përsërisin të njëjtën te liderët tanë në Uashington. Gjithashtu, e di se respektohet roli i këtij vendi në NATO dhe se përkrahja për Ukrainën është shumë me rëndësi për ne. E dini që ky vend ishte i katërti, për kokë banori, me donacionet e veta për Ukrainën. Kjo është punë e rëndësishme për këtë vend të vogël, kur shtete shumë më të mëdha as që i afrohen. Kjo është një gjë që ne e respektojmë, e vlerësojmë. Ne, si SHBA dhe si NATO, e dëshmuam këtë dhe do të vazhdojmë me këtë.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë te problemi më i madh i këtij vendi, te korrupsioni, i cili është si epidemi, siç thoni. Qeveria e re thotë se do ta luftojë korrupsionin. Por, në projektin e parë për energji të pastër mungojnë detajet dhe transparenca, kjo po ndodh me vite. Si do ta luftojnë korrupsionin nëse nuk janë transparentë?

Angela Angeler: Isha aty. Këtij vendi, Maqedonisë së Veriut, dëshpërimisht i duhen opsione për energji të pastër. Unë nuk di se si duket marrëveshja. Ka vetëm katër ditë që kjo Qeveri është në pushtet, nëse nuk gaboj, dhe sa di, bëhet fjalë për bisedime që janë në proces me vite me këtë kompani. Ndërsa, sa për transparencë, ata i bindnin qytetarët e këtij vendi se ka transparencë. Mendoj se ende nuk është e finalizuar, që të dihen detajet.

Mendoj se është pak herët. Por, absolutisht keni të drejtë. Ata premtuan se do të ballafaqohen në mënyrë direkte me korrupsionin dhe kemi shumë dëshirë të shohim se në cilat korniza, me çfarë aktivitetesh – për shkak se ky është prioritet i madh për ne, është sfidë e madhe për këtë vend. Korrupsioni është epidemi dhe mendoj se është kancer në këtë vend e që duhet të zgjidhet. SHBA-ja dhe kjo ambasadë do të vazhdojnë të punojnë fuqishëm, që ta përkrahin çdo program i cili do ta zgjidhë [problemin me] korrupsionin. Kjo fillon nga pushteti lokal e deri te pushteti më i lartë. Dhe, ne do të jemi aty për të përkrahur çdo program i cili do të veprojë në luftën kundër korrupsionit.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik për futje potenciale të kapitalit gërryes? Opozita veç tha se ka dyshime për kredinë me vlerë prej një miliard euro nga Hungaria, hamendësoj me kamatë shumë të ulët, që po paralajmërohet. A ka rrezik?

Angela Angeler: Gjithmonë ka rrezik. Këtu qëndron dhe roli i gazetarisë, i gazetarëve, që ta kontrollojnë këtë gjë dhe të jenë transparent. Por, gjithashtu, është rol edhe i qytetarëve që të kërkojnë transparencë. Duam të dimë nga vjen ky financim. Nuk mjafton të kërkohet vetëm nga Qeveria që ta zgjidhë problemin me korrupsionin, edhe qytetarët duhet të jenë pjesë e kësaj pune dhe të kërkojnë përgjigje. Nuk kam përgjigje. Qeveria e tha qartazi, edhe neve privatisht na siguronte, këtu në ambasadë, se do të jenë të hapur për këtë çështje dhe ju kapemi për fjale, i presim ato bisedime që të kuptojmë më shumë për këto çështje.

Radio Evropa e Lirë: Nuk ka hetim, as aksion, kundër qytetarëve maqedonas që gjenden në listën për sanksione të SHBA-së. Njëri nga ta, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për pak do të fitonte leje për hapjen e Fakultetit të Mjekësisë, edhe pse nuk i përmbushte kushtet e nevojshme. A jeni të dëshpëruar?

Angela Angeler: E dini, ne, sipas ligjit, si Ambasada amerikane në botë, kur kemi dëshmi për korrupsion, ato shkojnë në Uashington, shqyrtohen me kujdes dhe atëherë kur jemi të sigurt që dëshmitë janë absolutisht të sigurta, atëherë publikohen këto sanksione. Kjo ndodh edhe në vende të tjera dhe po, është dëshpëruese që ka shumë instanca, sipas të cilave SHBA-ja fut njeri në listë, si dhe shtet nga i cili ai vjen dhe nuk e kryen sanksionin.

Ne nuk e bëjmë zbatimin e ligjit në këtë vend, ne nuk jemi pjesë e gjyqësorit, kjo është punë e pushtetit të këtushëm, e hetuesve, e atyre që e zbatojnë ligjin, e gjyqësorit. Ka dëshmi të shumta në këtë vend, prandaj, çdo herë kur SHBA-ja vendos për dikë, me secilin që kam biseduar, me siguri kjo vlen dhe për ju, thoni që nuk është befasi, sigurisht e dimë këtë. Nuk është për t’u habitur se këta njerëz janë të korruptuar. Çështja është se çfarë do të bëjnë institucionet për këtë gjë. Do të presim të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Të gjithë presim reforma në gjyqësor. Shpërbërja e Këshillit Gjyqësor është një nga opsionet e paralajmëruara. A mendoni se kjo është lëvizja e duhur?

Angela Angeler: Di që reformimi i Këshillit Gjyqësor është diçka që është e përfshirë në raportin e BE-së dhe diçka që sigurisht diskutohet. Mendoj se është ide interesante. Mendoj se është shumë me rëndësi ideja e largimit të politizimit në plotësimin e këshillave, por si do të ndodhë kjo, është diçka që ne, ashtu si dhe ju, presim të shohim. Se cili është propozimi konkret për plotësimin e këtyre pozicioneve, mendoj se do të ndihmojë udhëzimi në raportet e BE-së.

Ka propozime solide për ata që vijnë nga BE-ja, ta shohin Këshillin Gjyqësor dhe institucionet tjera të gjyqësorit, e më pas të japin rekomandime se si duhet zbatuar sipas standardeve të BE-së. Në fund të fundit, ka udhëzim dhe tani presim ta shohim planin dhe si do të zbatohet ai. Por, për këtë shtet dhe për të gjithë ne, për të mirën e sistemit gjyqësor, a duhet të largohet politika nga gjyqësori, përgjigja është shumë e qartë – po.