Sporti

Alioski: E vështirë të përshkruhet ndjesia e golit para tifozëve të Fenerit

08/23/2022 10:58
nga:L J

Enis Bardhit iu deshën pak më shumë se pesë minuta në fushë për të shënuar golin e parë për Trabzonin (duke shënuar dy herë në fundjavë) në Superligën turke, kurse Ezjan Alioskit i nevojiteshin vetëm tre minuta për të shqyer rrjetën me një raketë për t’i dhënë Fenerbahçes një fitore 4-2 ndaj Adana Demirspor dhe për të vulosur fitoren pas së cilës gjiganti i Stambollit është sërish lider në Turqi pas 311 ditësh.

Alioski debutoi me Fenerbahçen të enjten në Vjenë kundër Austria Vjenës (2-0) për të kaluar në grupe, ndërsa mbrëmë luajti për herë të parë në “Ulker” para tifozëve të Fenerbahçes pasi hyri në lojë në minutën e 83-të.

Më pak se katër minuta më vonë, ai shënoi një gol, kështu që tifozët ranë në ekstazë dhe tashmë fituan një të preferuar të ri.

“Është hera ime e parë që luaj para turmës vendase dhe tifozët ishin të mrekullueshëm. Kjo është diçka që nuk mund të përshkruhet. Është e vështirë të thuash se çfarë ndjesie është të shënosh gol para tifozëve, në ndeshjen tënde të parë”, tha Alioski pas ndeshjes.

Ai te Fenerbahce erdhi këtë verë në huazim një vjeçar nga Al Ahli.

“Jam shumë i lumtur për këtë fitore, për faktin që festuam me tifozët. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Fenerbahçes. Unë duhej të vija këtu vitin e kaluar, por nuk ndodhi. Sidoqoftë, nëse besoni se mund të ndodhë – do të ndodhë! Tani jam këtu në këtë sezon dhe jam i lumtur”, ka shtuar Alioski.

“Giani” është futbollisti i dytë nga Maqedonia që luan për Fenerbahçen, pasi fanellën nga viti 2017 deri në vitin 2019 e ka veshur Elif Elmas, i cili më pas ka bërë një transferim prej 16 milionë eurosh te Napoli.