Lajme

Albin Kurti pas propozimit të bordit të ri të AKP-së: Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë së Bankës Zhvillimore

08/03/2021 14:30
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është lajmëruar përmes rrjeteve sociale pak kohë pas propozimit të bordit të ri të drejtorëve të AKP-së.

Kurti ka thënë se ky proces është shumë i rëndësishëm për Kosovën, sipas të cilit duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë së Bankës Zhvillimore, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe postimi i plotë i para pak çasteve i kreut të ekzekutivit.

Për një shoqëri demokratike e që i jep mundësi zhvillimit e progresit, sot i propozuam Kuvendit bordin e ri të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky vendim nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë.
Privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik. Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therrur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike.
Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore. Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes. Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së.

/GazetaBlic/