Lajme

Alarmante/ Rriten rastet e vrasjeve në Kosovë, Policia thotë se rastet e dhunës në familje trajtohen me seriozitet

04/22/2024 21:50
nga:G B

Vetëm brenda katër ditësh në Kosovë ndodhën dy vrasje makabre.

Dy gra u vranë nga burrat e tyre, duke e tronditur kështu tërë vendin.

Derisa Gjyljeta Ukella u vra në Pejë, në banesën e saj nga bashkëshorti, Edmond Lajci, ditën e martë, të premten e javës së kaluar në Ferizaj u vra 21-vjeçarja, Erona Cokli nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu.

Madje, u vra në institucionin e shtetit- Qendrën për Punë Sociale, aty ku do të duhej të ishte e sigurt.

Vrasjet e grave në Kosovë nuk kanë të ndalur…

Për të gjitha këto, sonte ndiqni dokumentarin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic, i cili fillon në ora 21:30.

Shifrat janë alarmante.

Që nga paslufta e deri më sot, janë hiq më pak se 99 gra, që janë vrarë nga bashkëshortë e ish-bashkëshortë.

Këto shifra i ka publikuar ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Pas dy vrasjeve makabre që ndodhën në Kosovë vetëm brenda një jave, pati shumë reagime në rrjete sociale, u kërkua ashpërsim i dënimeve ndaj të dyshuarve për dhunë në familje, derisa presidentja e vendit, Vjosa Osmani të mërkurën e kishte shpallur si ditë zie.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas dy vrasjeve të grave nga burrat e tyre, pos që ka kërkuar ashpërsim të dënimeve, ajo doli edhe me disa propozime.

Nga Policia e Kosovës për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic kanë dhënë shifra të rasteve të vrasjeve në Kosovë.

Sipas Policisë, në vitin 2023, numri i vrasjeve ka shënuar ngritje, nga 21 në 29 ose ngritje për 38.09%.

Megjithatë, nga Policia kanë theksuar se të gjitha rastet e dhunës në familje i trajtojnë me mjaft seriozitet dhe kanë policë të trajnuar ekskluzivisht për këto raste.

Policia e Kosovës që nga themelimi i saj i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është e rëndësisë së veçantë (primare), trajtimi i tillë i rasteve, ka bërë që të rastet e kësaj natyre të raportohen pa hezitim nga viktimat e rasteve dhe nga dëshmitarë.

Rastet e dhunës në familje, në secilin stacion policor, trajtohen  nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla. Rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.

Në vitin 2023, numri i vrasjeve ka shënuar ngritje, nga 21 në 29 ose ngritje për 38.09%.

Ndërsa, numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar rënie, nga 2,757 në 2,460, ose rënie për 10.77%.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovë, dërguar Gazeta Blic, në vitin 2020 në Kosovë kanë qenë gjithsej 20 viktima nga vepra “vrasje e rëndë” brenda familjes, ku prej tyre kanë qenë 7 viktima femra dhe 13 meshkuj. Viti 2021 ka shënuar rënie sa i përket kësaj vepre, ku kanë qenë 7 viktima, prej tyre 3 femra e 4 meshkuj. Në vitet 2022 dhe 2023, numri i viktimave të rasteve të vrasjes  të ndodhura brenda anëtarëve të familjes kanë qenë të njëjtë, nga 8 viktima, prej tyre 4 femra dhe 4 meshkuj. E, në vitin 2024, deri tani kanë ndodhur dy vrasje të dy grave nga bashkëshortët e tyre.

Ndërsa, sa i përket viktimave të dhunës në familje, vërehet se numri shumë më i lartë është i dhunës ndaj grave.

Në vitin 2020, në Kosovë 1632 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje, ndërsa meshkuj 469. Numri i viktimave gra është rritur edhe më shumë në vitin 2021, ku kanë qenë 2486 viktima të dhunës në familje, ndërsa 500 meshkuj. 2294 ka qenë numri i viktimave gra të dhunës në familje në vitin 2022, ndërsa në vitin 2023 kanë qenë 2120 raste të dhunës në familje ndaj grave./Gazeta Blic/