Në prag të zgjedhjeve lokale ka jo pak akuza ndaj zyrtarëve komunalë për punësime në sektorë të ndryshëm, në secilën komunë respektive të Kosovës.
Disa të tilla akuza janë parë së fundi edhe në qytetin më të vjetër në vend, Vushtrri, përcjell GazetaBlic.
Burime brenda komunës kanë akuzuar për punësime nepotiste e të kundërligjshme, duke kthyer gishtin nga nënkryetari, Afrim Namani, duke thënë se ky i fundit në shkollën fillore “Mustafë Venhari”, e ka angazhuar bashkëshorten e tij, e cila deri tash ishte duke dhënë mësim në fshatin Nadakofc.
Namani, që nga 8 Marsi i këtij viti, me vendim të kryetarit Xhafer Tahiri, u emërua nënkryetar i Vushtrrisë.
Megjithatë, burime brenda komunës po dyshojnë se Namani ka shfrytëzuar autoritetin e tij për të bërë “manovra” sa i përket vendeve të punës në arsim, gjegjësisht lëvizjeve nga një fshat në tjetrin, apo në qytet, si në të kaluarën sa e ka ushtruar pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale për Arsim, e poashtu edhe tani.
Por, i kontaktuar nga GazetaBlic, Namani ka thënë se këto akuza janë të pabaza, duke dhënë detaje shtesë.
“Po ua lë juve që të hulumtoni në të gjitha komunat për lvëzijet që bëhen në arsim, nga një vend në vendin tjetër, pra prej një shkolle në tjetrën. Pra, sa për informatë, bashkëshortja ime, prej që është transferuar bën hiç më pak se 10 kilometra në ditë (vajtje-ardhje). Ta keni të qartë. Unë banoj në fshatin Nadakofc. Çka do të thotë se askund tjetër më shumë se në Nadakofc nuk më ka konvenuar. Megjithatë, ajo prej fshatit tonë bënë rrugë për në Vushtrri. Edhe, në vendin ku ka qenë duke punuar ka qenë në zëvendësim të një punëtoreje tjetër arsimore, e cila ka qenë në pushim të lindjes”, tha fillimisht Namani.
Ndërkaq, tutje ai shtoi se këto transferime lejohen me ligjin e punës, duke thënë se bashkëshortja e tij ka ndërruar disa herë vendin e punës.
“Kurse, sa i përket akuzave se është e kundërligjshme, mund ta gjeni lehtë. E keni ligjin e punës dhe e shihni se thotë që punëdhënësi, sa herë të paraqitet nevoja, mund t’ia ndërrojë vendin e punës. Punëdhënës është DKA-ja, jo shkolla. Nuk e di se ku e kanë marrë këtë e kundërligjshme, ose nepotiste. Me thënë që e kam punësu…Bashkëshortja ime punon para se njihej me mua. Pa qenë unë drejtor ajo i ka ndërruar gati tetë vende të punës. Ka qenë në Mihaliq, Pantinë, pastaj në Vushtrri, Smrekonicë, Samadrexhë etj. Nuk ka qenë as transferi i parë e me siguri se nuk do të jetë i fundit”, përfundoi nënkryetari i komunës.
Në anën tjetër, drejtoresha e arsimit, Ragbete Krasniqi ka mohuar të ketë pasur ndikim në punën e saj, duke thënë se njerëzit mund të flasin çkado, porse çdo ndryshim i vendit të punës është brenda ligjit dhe se e gjitha ka të bëjë me zëvendësimet e kolegëve, dikush e zëvendëson dikë pas pensionimit, dikush dikë tjetër për shkak të pushimit pas lindjes etj.
“Po tash mund të ketë akuza të çfarëdo llojshme. Nga këto zëra që i keni siguruar ju, nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk mund të ketë ndikim për punësime. Të gjitha lëvizjet e personelit bëhen kur ka nevojë të zëvendësimit për punëtorët që dalin në pension, ose punëtoreve arsimore që kalojnë në pushim të lehonisë. Kaq.”, tha Krasniqi për GazetaBlic.
Kurse, nga opozita, Refik Maloku i tha portalit GazetaBlic se nuk ka diçka konkrete për të shtuar lidhur me punësimet, përveç reagimit të djeshëm në rrjetin social “Facebook”, duke ftuar për referim në atë status.
Në publikimin në rrjetet sociale, ai ka akuzuar drejtorët, të cilët i ka etiketuar si të kreut aktual të komunës, Xhafer Tahirit e të nënkryetarit Afrim Namani.
/GazetaBlic/