Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.R., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, E.R., me datë 24.01.2025, rreth orës 17:50 min, në fshatin Korishë – Komuna e Prizrenit, pa autorizim shpërndanë, substanca narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes apo ofrimit për shitje, në atë mënyrë që i njëjti bënë shitjen dhe shpërndarjen te përdorues të substancave narkotike.
“Me datë 24.01.2025, policia pas marrjes së informatave lidhur me të pandehurin, se ishte duke bërë shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve, vërejnë veturën e markës “Golf 2” e cila futet dhe del nga shtëpia e të pandehurit, të cilën veturë më pas e kontrollojnë, dhe aty arrijnë të gjejnë nën ulësen e shoferit një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit “marihuanë”, dhe më pas rreth orës 20:03 min, gjatë zhvillimit të kontrollit nga ana e policisë, i pandehuri merr një qese te substancës narkotike të cilën e fut nën xhaketë dhe arrin të largohet në pjesën malore afër shtëpisë.”
Gjatë kontrollit të shtëpisë, në dhomën e të pandehurit janë gjetur:
“Një (1) qese me substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë prej 15.00 gram,
Një (1) qese me substancë narkotike e llojit “marihuanë” me peshë prej 1.76 gram,
Një (1) qese plastike ngjyrë e bardhë brenda saj e një qese ngjyre e zezë e mbushur me substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 663.73 gram, të cilat kanë një peshë të përgjithshme prej 680.49 gram.”
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.