Analisti politik, Arben Ahmeti e ka komentuar takimin e mbrëmshëm të kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.
Ahmeti në një deklaratë të dhënë për Gazeta Blic ka theksuar se deklarata e Lajçakut se ai me Kurtin janë pajtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruskel, nuk nënkupton që Kurti do ta themeloj Asociacionin.
Ahmeti këtë deklaratë të Lajcakut më shumë e sheh si dëshirë dhe vullnet të ndërmjetësit evropian.
“Deklarata deri më tash shpreh vullnetin, dëshirën dhe seriozitetin e ndërmjetësit Lajcak për marrëveshje, por nuk nënkupton se kryeministri Kurti është pajtuar me asociacionin”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
“Unë nuk pres që një kauzë të tillë Kurti t`a dorëzojë brenda një nate”, ka theksuar Ahmeti.
Sipas tij, Kurti duhet ta kryej Asociacionin.
“Do të duhej që për hir të një marrëveshje përfundimtare dhe daljes nga gjendja aktuale ta tejkalonte asociacionin, por nuk pres ta bëjë një gjë të tillë”, thotë Ahmeti.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, e ka takuar në mbrëmjen e së mërkurës Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.
Takimin që, kësaj radhe, duket të jetë realizuar në orët e vona në një nga restorantet e vendit, Lajcak e përshkruan si të hapur dhe të qartë.
Përfaqësuesi evropian thotë se me Kurtin u pajtuan që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë në Bruksel, duhet që të zbatohen plotësisht.
“U ktheva në Kosovë për diskutimet e sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi për hapat e mëtutjeshëm drejt normalizimit të raporteve me Serbinë. Po ashtu, u pajtuam që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në Dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajcak.
Në mesin e marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë, që Kurti e ka refuzuar kategorikisht deri tani është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kjo është hera e dytë brenda javës që Përfaqësuesi Special i BE-së qëndroi në Prishtinë.


