Lajme

Agusholli: Masat e BE-së do të hiqen me mbajtjen e zgjedhjeve në veri – Qeveria është për dialog, Serbia po prolongon

08/28/2023 22:01
nga:G B

Janë bërë dy muaj që kur Bashkimi Evropian ka vendosur masat ndaj Kosovës, për shkak të situatës në veri dhe mos zbatimit të kërkesave të tyre.

Dëmi nga këto masa vetëm në aspektin ekonomik llogaritet të jetë rreth 500 milionë euro.

Lidhur me këto masat dhe dëmet për Kosovën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Qeveria e Kosovës është treguar e hapur për dialog dhe zgjidhje të ngërçit të krijuar në veri, po ashtu e gatshme për t’i organizuar zgjedhjet e reja në ato katër komuna.

“Qeveria e Kosovës është treguar e hapur për dialog dhe për zgjidhje të vazhdueshme të ngërçit i cili është krijuar pas zgjedhjeve të mbajtur në komunat veriore të Kosovës me shumicë të popullsisë serbe. Madje, ka shkuar edhe më tutje duke thënë se është e gatshme që t’i organizojë zgjedhjet e reja në këto komuna, me kusht që liderët e zgjedhur do të dalin nga vullneti i banorëve të asaj pjese dhe jo nga diktati i grupeve kriminale serbe, të lidhura direkt me Beogradin zyrtar”, shprehet ai.

Sipas Agushollit, Serbia po prolongon çdo zgjidhje, derisa Kosova është e hapur për masa të mëtejme.

“Dorën ne zemër, Kosova është e hapur për të ndërmarrë masa të mëtutjeshëm, e që është në dyshim se të njëjtën do të bëjë edhe Serbia, e cila vazhdimisht e prolongon çdo zgjidhje, duke tentuar në secilin moment ta zhbëjë shtetësinë e Kosovës”, thekson deputeti i VV-së për Gazeta Blic.

Ai shton se masat do të hiqen me mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna dhe do të ketë shtensionim të situatës.

“Mendoj që me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore, do të kemi shtensionim të situatës, rrjedhimisht edhe heqjen e masave nga ana e Bashkimit Evropian”, deklaron Gramos Agushulli nga VV.

Ndryshe, sot presidenti francez Macron ka paralajmëruar shqyrtim të masave për Kosovën e Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi në dialog./Gazeta Blic/