Lajme

Agusholli: E pakuptimtë që BE ta favorizojë Serbinë, dialogu po e humb kuptimin – të mos kushtëzohet me Asociacionin

09/14/2023 21:15
nga:G B

Sot është mbajtur takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai që nuk pranoi propozimin për kompromis, derisa Vuçiq e bëri.

Ndërsa, Kurti e demantoi atë, derisa tha se ai ka qenë i vetmi që ka pasur propozim në këtë takim, ndërsa që propozim s’ka pasur as nga Serbia e as nga BE.

Kryeministri i Kosovës tha se pas takimit i është dhënë një letër në anglisht dhe në gjuhën serbe dhe se ai ishte kushtëzim i Serbisë që të formohet fillimisht Asociacioni dhe më pas të vazhdohet me të tjerat.

Për takimin e sotëm, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, thotë për Gazeta Blic se qëndrimi i kryeministrit ka qenë shumë parimor.

Ai e quan të pakuptimtë që BE ta mbajë anën e Serbisë dhe se marrëveshjet duhet të zbatohen e jo të insistohet për Asociacionin.

“Konsideroj që qëndrimi i kryeministrit sot në Bruksel ka qenë shumë parimor. Është e pakuptimtë që ndërmjetësuesi të mbajë anën e njërës palë, në këtë rast Serbisë. Mendoj që marrëveshjet duhet të zbatohen të gjitha, e jo të insistohet vetëm te Asociacioni”, thotë ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, kushtëzime të tilla e favorizojnë Serbinë dhe dialogu e humb kuptimin e as nuk prodhon marrëveshje përfundimtare.

“Me kushtëzime të tilla, që favorizojnë qartazi Serbinë në dëm të Kosovës, mendoj që dialogu po e humb kuptimin edhe nuk do të prodhojë marrëveshje përfundimtare. Vetëm një dialog pa kushtëzime është rruga që do të mund ta prodhonte një marrëveshje eventuale në mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/