Sporti

Agim Ademi po krenohet me fushat stërvitore, por kush po vjen në Kosovë po ankohet për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”

08/02/2023 11:21
nga:L J

Kryetari i FFK’së, Agim Ademi në postimin e tij të fundit në rrjetin social, Facebook është krenuar me fushat stërvitore që po i rregullon në Kosovë.

“Është kënaqësi kur çdo 45 ditë rregullohet një fushë stërvitore në çdo cep të Kosovës, e sidomos kur bëhet afër stadiumeve ekzistuese, me ç’rast po ruhen fushat e lojës me bari natyral. Ky është edhe qëllimi ynë që në çdo pjesë të Kosovës të ketë kushte për ta zhvilluar futbollin. FFK+Komunat+UEFA+FIFA. I gëzofshi të dashur futbollistë dhe të nderuar udhëheqës të klubeve. Ndërkohë, më 20 gusht fillojmë me ndërtimin e fushës së radhës”, shkruan Ademi ku njofton për një fushë stërvitore të rregulluar.

Por cila është gjendja reale e infrastukturës sportive në Kosovë?

Stadiumi i vetëm në Kosovë që plotëson kushtet e UEFA’s është “Fadil Vokrri” dhe të gjitha skuadrat e kualifikuara në garat evropiane sivjet janë duke luajtur ndeshjet në këtë impiant, i cili është dëmtuar tepër shumë nga mbingarkesa.

Gjilani, Drita, Ballkani e Dukagjini kanë luajtur ndeshjet e tyre në muaj, teksa të gjithë janë ankuar në kushtet jo të mira të fushë.

Edhe nga skuadra e Ludogoretsit u ankuan në fushë, ku pikërisht trajneri i tyre nuk ishte i kënaqur me gjendjen, teksa paraprakisht nga kombëtarja rumune gjithashtu shprehën shqetësim.

Legjenda e Rumanisë, Adrian Mutu madje e quajti fushën si të tmerrshme.

“Ishte një fushë e vështirë, nuk mund ta besoj se në 2023 ka ende një kombëtare që mund të luajë në një fushë të tillë”, tha ai në muajin qershor.

Kujtojmë se përveç ndeshjeve të futbollit, në ‘Fadil Vokrri’ këtë muaj do ketë edhe meçe boksi me 5 gusht dhe koncert muzikor me 11 gusht…

/GazetaBlic Sport