Njohësja e zhvillimeve politike, Afërdita Maliqi, thotë se ndërprerja e dialogut strategjik me SHBA-në është fryt i veprimeve të njëanshme dhe mosbashkëpunimit të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Në një prononcim për GazetaBlic, ajo shpjegon se vizitat e tyre në Amerikë nuk kanë sjellë asnjë kthesë të vërtetë në raportet me aleatin kryesor të Kosovës.
“T’u pas parasysh se SHBA thonë se kanë nevojë për një lider që të bashkëpunojnë, dhe ky lider nuk është Albin Kurti, sepse gjatë kohës së qeverisjes nuk ka bashkëpunu me ndërkombëtarët, ndikimi i vizitës së tij në Amerikë rreth kësaj çështje është zero,” thekson Maliqi, duke vënë në dukje mungesën e bashkëpunimit dhe komunikimit të Kurtit me partnerët ndërkombëtarë.
Por përgjegjësia sipas Maliqit nuk bie vetëm mbi kryeministrin.
“Osmani ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve në të po njëjtin linjë me Albin Kurtin dhe po ashtu është bashkëfajtore në prishjen e raporteve me ndërkombëtarët e veçanërisht me Amerikën,” shton ajo, duke treguar se mosbashkëpunimi nuk është fenomene individual, por politikë e përbashkët.
Vizita e Kurtit në SHBA nuk i ka ndryshuar gjërat, madje është parë si një lëvizje për konsum politik brenda vendit. “Vizita e tij në SHBA është më shumë për konsum të brendshëm politik, se sa ka ndonjë rezultat. Deklaratat e tij edhe nga Amerika, rreth kërkesave amerikane, ishin jodiplomatike dhe jobashkëpunuese,” nënvizon Maliqi.
Ndërsa sa i përket vizitës së Osmanit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ajo është skeptike për efektin e saj real: “Nga ana tjetër, vizita e Osmanit ishte në kuadër të asamblesë së OKB dhe nuk shoh ndonjë rezultat,” përfundon Maliqi për GazetaBlic.
Quni: Vizitat në SHBA nuk mjaftojnë për rikthimin e dialogut strategjik, duhen veprime konkrete


